Senada Ibraimova
19 Tetor 2016•Përditësim: 20 Tetor 2016
SHKUP (АА) – Në Shkup sot u mbajt debati "Gazetaria hulumtuese - të zbulohet e vërteta", që është pjesë e projektit katër vjeçar të Observatorit Mediatik të Evropës Juglindore, i financuar nga Bashkimi Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Gazetarja, njëherësh themeluese e qendrës për gazetari hulumtuese SCOOP-Maqedoni, Zhaklina Haxhi-Zafirova në fjalën e saj në debat tha se qëllimi është të bisedohet për gazetarinë hulumtuese nga prizmi i përmbajtjes, sfidave dhe pengesave me të cilat përballen gazetarët hulumtues.
Duke theksuar nevojën për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë që ka gazetaria hulumtuese, Zafirova vuri theksin në lidhjen e ndërsjellë midis qytetarëve dhe gazetarëve sepse sipas saj, gazetaria hulumtuese është mbikëqyrës i demokracisë.
Gazetari hulumtues Goran Lekov, u përqendrua në përvojën e tij në fushën e gazetarisë hulumtuese. Ai tha se një rrëfim hulumtues cilësor kërkon kohë, përkushtim dhe këmbëngulje por para së gjithash transparencë të institucioneve, ndërkohë që gazetarja Meri Jordanovska u ndal te rëndësia e të shkruarit të qartë dhe preciz të një rrëfimi hulumtues.
Duke bartur tek opinioni përvojën e saj, Jordanovska tha se është shumë e rëndësishme për të gjetur një mënyrë që qytetarëve t'u ilustrohet në mënyrë grafike tregimi hulumtues qoftë edhe përmes imazheve.
Debati u organizua nga Instituti Maqedonas për Media në bashkëpunim me shoqatën Qendra për Gazetari Hulumtuese- SCOOP dhe magazina online Inbox 7.