Bekim Laci
04 Tetor 2015•Përditësim: 05 Tetor 2015
SHKUP (AA)- Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, bashkë me drejtorin e ndërmarrjes publike “Parkingu i Qytetit”, Borçe Jakimovski, me anë të një promovimi, prezantuan elektro-mobilët dhe elektro-troninetët e ri, të cilët do të mund të merren me qira nga të interesuarit që dëshirojnë të bëjnë xhiro në kryeqendrën e Maqedonisë.
“Këto elektro-mobil do të mund të merren me qira si nga turistët ashtu dhe nga qytetarët vendas të cilët janë të interesuar të bëjnë xhiro në qytet”- sqaroi kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
Drejtori i ndërmarrjes publike “Parkingu i Qytetit”, Borçe Jakimovski, nga ana e tij tha se automobilët elektrik janë prodhim i Hungarisë, ndërsa trotinetët janë prodhim i Italisë, blerjen e të cilëve siç tha e ka ndihmuar Qyteti i Shkupit me 7.5 milion denarë.
“Trotinetët kanë përparësinë e vet sepse me to ke qasje më të madhe te të gjitha atraksionet e Shkupit” tha Jakimovski.
Në fund të promovimit, kryetari i Qytetit të Shkupit, Trajanovski dhe drejtori Jakimovski, bashkë me gazetarët bënë xhiron e parë me elektro-mobilët e ri.
Një orë qira për automobilët elektrik kushton 50 denarë, ndërsa për trotinetët 100, njoftoi Jakimovski.