Sibel Vezaj
06 Shtator 2016•Përditësim: 06 Shtator 2016
PRISHTINË (AA)- Policia e Kosovës sot me një ceremoni zyrtare shënoi përvjetorin e 17-të të themelimit të saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ministri i Forcës dhe Sigurisë, Haki Demolli, kryeprokurori i Prokurorisë së Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Në ceremoni të pranishëm ishin edhe ministra, përfaqësues të EULEX-it dhe të institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Ceremonia filloi me parakalimin e gardës së policisë, ku pas saj u lexua himni shtetëror i Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke uruar përvjetorin e 17-të të themelimit të Policisë së Kosovës, theksoi se mburret me punën e policisë, të cilët e kanë mbrojtur vendin dhe popullin sidomos në kohën e fundit kur Kosova është përballur me sfida të shumta.
“Është një përvjetor i punës, një përvjetor i sakrificës dhe i ndërtimit të Policisë së Kosovës si institucion shumë i besueshëm dhe tepër i rëndësishëm për Kosovën. Unë mund të them se ju keni bërë një punë të mrekullueshme sepse Policia e Kosovës ka bërë një punë të lartë profesionale dhe ka treguar profesionalizëm dhe disiplinë”, u shpreh Mustafa.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, u shpreh se Kosova ka policë të përkushtuar për shtetin, të cilëve nuk u mungon vullneti për t’u përballur edhe me sfidat më makabre në një shtet demokratik.
“Republika e Kosovës po konsolidohet çdo ditë e më shumë dhe Policia e Kosovës është shpallur, unë e quaj me endje, shtyllë kurrizore e Republikës së Kosovës, e cila po përkujdeset që ajo të rritet e shëndoshë dhe e sigurtë për secilin qytetar të saj”, u shpreh ministri Hyseni.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, gjatë fjalimit të tij falënderoi anëtarët e Policisë së Kosovës për punën e tyre dhe gjithashtu profesionistët ndërkombëtarë që ndihmuan në konsolidimin e Policisë. “Me shumë modesti duhet të them se sukseset e arritura të Policisë së Kosovës në vitet e fundit, pa mëdyshje që mund të krahasohen me sukseset që kanë arritur policitë me një traditë dhe përvojë shumë të gjatë”, u shpreh Maxhuni.
Në fund të ceremonisë u bë ndarja e certifikatave për zyrtarët policorë që janë shquar për punën e tyre dhe rezultatet e arritura.