Bekim Laci
09 Maj 2016•Përditësim: 09 Maj 2016
SHKUP (AA) - Policia e Maqedonisë njofton se gjatë një kontrolli rutinor mbi një automjeti transportues ka zbuluar 30 emigrantë të cilët kanë hyrë në Maqedoni në mënyrë ilegale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftojnë nga departamenti për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) më 08 maj 2016 në orën 11:10 zyrtarët policorë në afërsi të tuneleve në autostradën Demir Kapi –Veles kanë konstatuar një automjet transportues “Mercedes” i drejtuar nga shtetasi me inicialet LM (23) nga fshati Tanushë e Shkupit i cili ka injoruar urdhrin policor për të ndaluar dhe ka vazhduar lëvizjen.
Shoferi dhe bashkudhëtari i tij me inicialet R.J (20) pas disa kilometrave kanë ndaluar mjetin transportues dhe janë larguar.
“Pas masave të ndërmarra personi me inicialet L.M është arrestuar, ndërsa personi tjetër me inicialet P.J është larguar, ndërsa pas kontrollit të detajuar të hapësirës për ngarkesë janë zbuluar 30 emigrantë nga Afganistani, Iraku dhe Kongo të cilët janë dërguar në stacionin policor në Negotinë”, thuhet në njoftimin e policisë e cila është vënë në kërkim të personit R.J .