Fatjon Cuka
27 Prill 2016•Përditësim: 28 Prill 2016
TIRANË (AA) - Nën kujdesin e Shoqatës Arsimore, Kulturore dhe Humanitare “Alsar”, është organizuar sot aktiviteti për promovimin e librit “42 kryetarët e Tiranës”, me autor Valter Gjonin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin për provimin e këtij libri mbajti një fjalë përshëndetëse edhe kryetari i Shoqatës Arsimore, Kulturore dhe Humanitare “Alsar”, Mehdi Gurra, i cili theksoi se kujtesa kolektive e një populli e bën atë të ndihet më i fortë dhe krenar për të shkuarën e tij dhe njëkohësisht pasuria e kësaj kujtese e bën atë të paraqitet denjësisht përpara të tjerëve.
“Në këtë kontekst, evidentimi i këtyre vlerave përmes botimit të këtij libri është një akt të cilin ne e kemi mbështetur. Ai përfaqëson frytin e një pune të gjatë, të kujdesshme dhe kërkimore në hulumtimin dhe grumbullimin e të dhënave përkatëse për çdo njërin nga këta prijës që populli i Tiranës iu besoi dhe i ndoqi pas me bindje”, u shpreh Gurra.
Gurra theksoi në fjalën e tij se gjatë viteve 1913-1924 Tiranën e kanë drejtuar 3 personalitete të shquara fetare si kryebashkiakë.
Në këtë aktivitet mbajti një fjalim edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me temë “Refleksion mbi vlerat kulturore, artistike dhe historike të qytetit të Tiranës”.