Fatjon Cuka
01 Dhjetor 2015•Përditësim: 01 Dhjetor 2015
TIRANË (AA) – Përfaqësues të shoqërisë civile, qytetarë, por edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje sot në Tiranë organizuan një protestë , ku iu është bërë thirrje autoriteteve kosovare që të lirojnë deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurtin , i cili u arrestuar më 28 nëntor në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në protestën e organizuar tek Piramida, pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” morën pjesë aktivistë dhe qytetarë, ndërsa në të nuk mungonte edhe flamuri kombëtar, si dhe pankarta në mbështetje të Albin Kurtit.
Të pranishmëve iu është drejtuar me një fjalim, Elvis Hoxha, i cili është anëtarë i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Kujtojmë se pas protestës paqësore të mbajtur në Prishtinë më 28 nëntor forcat policore kanë rrethuar selinë e Vetëvendosjes dhe kanë arrestuar deputetin e saj, Albin Kurti, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë 30 ditë paraburgim.
Partitë opozitare në Kosovë, Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë bllokuar punimet e Kuvendit për disa seanca radhazi, pasi janë kundër Marrëveshjeve me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.