Besar Ademi
22 Prill 2016•Përditësim: 22 Prill 2016
SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë shqiptarë të Shkupit duke filluar nga Komuna e Çairit marshuan në drejtim të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për të shprehur revoltën e tyre kundër, “padrejtësive dhe diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni gjatë 25 viteve të fundit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas protestuesve të drejtuar nga disa parti shqiptare jashtë parlamentare, shqiptarët kanë më shumë arsye për të protestuar koalicionin qeveritar, sepse siç thonë ata, më tepër padrejtësi në këtë vend u bëhen shqiptarëve.
Kryetari i Lëvizjes për Reforma - Partia Demokratike Shqiptare (LR-PDSH), Ziadin Sela bëri të ditur se këto protesta janë vetëm fillimi i një rruge shumë të gjatë që shqiptarët do ta bëjnë për të ardhmen e tyre.
“Sot protestojnë shqiptarët për t’i thënë kësaj të keqeje, e cila ka me dekada të tëra që funksionon mbi kurrizin e shqiptarëve. Shqiptarët janë për ta kthyer demokracinë, por demokracinë e vërtetë, e jo atë demokraci e cila i mbivoton 25 vite shqiptarët”, tha Sela.
Kryetar i RDK-së, Vesel Memteti tha se sot është momenti që bashkërisht të definohet një shtet tjetër dhe të nënshkruhet një kontratë e re me të cilën nuk do të diskriminohen shqiptarët.
“Ne kërkojmë një shtet binacional në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Tani duhet bashkërisht njëherë e përgjithmonë të ndërtojmë një shtet me themele të shëndosha, ku të gjithë kombet që janë të pranishëm në Maqedoni do të jenë të barabartë”, tha Veseli.
Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për faljen e politikanëve gjatë dhjetë ditëve të fundit shkaktoi protesta nëpër rrugët e Shkupit dhe qyteteve të tjera të Maqedonisë. Lideri Zijadin Sela theksoi se do t'u bashkohen edhe protestave të opozitës maqedonase, vetëm nëse ato organizohen edhe në gjuhën shqipe.