Cuneyt Davut
16 Prill 2016•Përditësim: 16 Prill 2016
IDOMENI (AA) - Një grup refugjatësh të cilët qëndrojnë në kampin e qytezës Idomeni e cila gjendet në kufirin greko-maqedonas, duke protestuar kërkuan që Papa Françesku i cili është duke vizituar ishullin Lesbos t'i vizitojë edhe refugjatët në Idomeni, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi mes të cilëve gjendeshin edhe fëmijë mbajtën pankarta me mbishkrimet "Papa Françesku, të presim edhe në Idomeni" dhe "Na shpëtoni ose na dërgoni në vdekje".
Ndërsa një grup tjetër prej 30 refugjatësh kanë bërë përpjekje për ta shkulur gardhin e telit të vendosur në kufi nga autoritetet maqedonase. Pjesëtarët e grupit të cilët patën edhe përplasje verbale me policinë maqedonase brohoritën me sloganet "hapni kufijtë".
Refugjatët pas një kohe duke protestuar e dëmtuan njërën prej shtyllave e cila e mban gardhin e telit. Nga ana tjetër policia maqedonase e cila ishte në anën tjetër të kufirit vetëm i paralajmëroj refugjatët.