Bekim Laci
18 Korrik 2016•Përditësim: 19 Korrik 2016
SHKUP (AA) - Pakoja e përbashkët turistike e vendeve të rajonit është dëshmuar si formula e suksesit dhe si e tillë ajo duhet të zgjerohet dhe plotësohet, ndërsa për realizim të saj është e domosdoshme infrastruktura rrugore. Ky ishte konstatimi i përbashkët në konferencën për media në të cilën Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) dhe ambasadorët e Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë shpalosën planet për krijimin e ofertave të përbashkëta për pjesëmarrje në tregjet e treta, raporton Anadolu Agency (AA).
Në cilësi të kryetarit të Odës Turistike në LOEM, Artan Kerim tha se qëllimi i këtij takimi dhe i përpjekjeve të mëparshme është që përmes ofertave cilësore turistike të tërhiqen turistët nga vendet e treta.
Ai tha se aktualisht ekziston një ofertë ballkanike një-javore e cila përfshinë Beogradin, Sarajevën, Mostarin, Budvën, Shkodrën dhe Tiranën, pastaj Ohrin dhe Shkupin mirëpo siç tha me një mobilizim më të madh mund të përfitohen shumë turistë tjerë të cilët vizitojnë Kroacinë dhe Slloveninë por që nuk zbresin më poshtë.
“Vitin e kaluar ka patur 240 mijë turistë koreanë të cilët vijnë në turne 12-14 ditore. Për vitin tjetër planifikojmë të vendosin në ofertë edhe Sarandën dhe Butrintin. Kjo është formula e suksesit”, tha ai për të shtuar se qëllimi i kësaj konference për media ka qenë mes tjerash që t'u rekomandojnë qeverive të punojnë në drejtim të lidhjes më të mirë infrastrukturore si parakusht për zhvillimin e turizmit, sepse siç tha, tani nga Shkupi në Sarajevë udhëtohet për 16 orë ndërsa nga Shkupi për Rio De Zhaneiro udhëtohet për 12 orë.
“Linja ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë dhe autostrada Shkup-Prishtinë do të mundësojë rritjen e numrit të turistëve nga BeH, Mali i Zi dhe Shqipëria ndërsa me Serbinë nevojitet promovim i përbashkët turistik më i madh”, tha Kerim.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka duke përmendur potencialin e gjerë turistik të Shqipërisë e cila ofron turizëm detar, malor dhe termal tha se përmirësimi i infrastrukturës ka bërë që turistët të vizitojnë vendet më të largëta të vendit.
“Pjesëmarrja e ambasadorëve të katër vendeve këtu është në harmoni me procesin e Berlinit i cili synon afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes shkëmbimeve tregëtare kulturore dhe Turistike dhe jam i bindur se ky takim do të shërbejë për avancim të bashkëpunimit”, tha Reka, sipas të cilit, numri i turistëve që ka vizituar Shqipërinë në vitin 2015 ka tejkaluar shifrat 3 milionë.
Ambasadorja e Serbisë, Divjak Tomiç, tha se përkundër bashkëpunimit, ka shumë mundësi turistike të pashfrytëzuara. “Rajoni do të ketë një perspektivë të shkëlqyeshme turistike nëse në pako përfshinë trashëgiminë shekullore kulturore” tha ajo, ndërkohë që ambasadorja e BeH-së, Lepa Babiç deklaroi se vendit të saj i është shtuar edhe një atraksion turistik, duke përmendur vendosjen në listën e UNESCO-s të gurëve antik mbi varre.