Sibel Vezaj
16 Gusht 2016•Përditësim: 16 Gusht 2016
PRISHTINË (AA) - Në Mitrovicë, mbrëmë pak para mesnatës afër urës kryesore mbi lumin Ibër, i cili ndan Mitrovicën në dy pjesë, veriore në të cilën shumica jetojnë serbë, dhe jugore ku shumica jetojnë shqiptarë, është hedhur një mjet shpërthyes, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu Operativ i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Zeljko Bojiç, ka konfirmuar për AA se bomba M-75 është hedhur, por që nuk ka pasur të lënduar ose dëme materiale.
“Mbrëmë në orën 23:45 në rrugën Kralj Petar në afërsi të urës kryesore në Ibër është hedhur një mjet eksploziv. Ekipet e policisë dhe po ashtu edhe ekipet speciale të EULEX-it kanë dalë vendin e ngjarjes.Pas hetimit në vendin e ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për një bombë dore M-75”, u shpreh Bojiç.
Bojiç ka shtuar se në lidhje me këtë ngjarje kanë kontaktuar me prokurorin kompetent, ku rasti shqyrtohet si krim i rrezikshëm në përgjithësi. Ai theksoi se në këtë incident nuk kishte të lënduar ose dëme materiale.
Më 14 gusht me heqjen e barrikadës, kishin filluar punimet për rivitalizimin e urës në lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në dy pjesë, si rezultat i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.