Ruslan Rehimov
15 Mars 2018•Përditësim: 15 Mars 2018
BAKU (AA) - Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, ka deklaruar se SHBA-të duhet të heqin dorë nga bashkëpunimi i tyre me terroristët, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Vijat e kuqe të Turqisë janë të qarta. Për Turqinë nuk ka ndryshim nëse pas luftës kundër terrorizmit ndodhet edhe SHBA, ajo vepron atë që është e nevojshme. SHBA nuk duhet të mbrojë liderin e FETO-s, i cili me forcën e armës është përpjekur të ndryshojë sistemin demokratik në Turqi dhe duhet ta ekstradojë menjëherë atë", tha Yıldırım.
"SHBA duhet të tregojë një qëndrim të qartë ndaj terrorizmit, i cili është një kërcënim serioz për ne dhe duhet të heqë dorë nga bashkëpunimi me terroristët. Duhet të hedhë hapa që të fitojë opinionin pozitiv të popullit. Marrëdhëniet Turqi-SHBA nuk varen nga personat. Të ardhmen e marrëdhënieve e përcaktojnë parimet", tha Yıldırım.
Ai tha se Turqia në rajon përfaqëson stabilitetin dhe paqen.
"Ne dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhnie të mira fqinjët tanë, të rrisim miqësitë tona dhe të zvogëlojmë armiqësitë tona. Por, nuk lëmë pa u përgjigjur nëse dikush synon vendin tonë dhe ushqen vepra të këqija. Më parë kemi biseduar në Turqi me Mike Pompeo kur ishte në krye të CIA-s, dhe kemi zhvilluar një takim mjaft frytdhënës", tha kryeministri turk.
"Ne nuk kemi paragjykime në detyrën e tij të re. Do të shohim performancën e tij dhe do të veprojmë sipas saj", ka thënë kryeministri Yıldırım për agjencinë e lajmeve APA në Azerbajxhan ku po qëndron për të marrë pjesë në forumin e 6-të Global.
- Lufta në Siri
Në pyetjen në lidhje me krizën siriane, Yıldırım tha se Turqia me këtë vend ka një vijë kufitare prej 911 kilometra dhe për këtë arsye zhvillimet aty kanë një rëndësi për Turqinë.
"Irani, Rusia dhe Turqia kanë ndërmarrë një iniciativë për zgjidhje dhe po bëjmë përpjekje. Përpiqemi që armëpushimi të jetë i përhershëm. Në Siri janë të pranishme shumë vende, por nëse kërkoni ata që tregojnë përpjekje të vërteta, nuk ka shumë vende të tjera përveç Turqisë. Kjo është një çështje e sigurisë kombëtare për Turqinë. Organizatat si DEASH, PKK, PYD/YPG janë kërcënim për Turqinë, e cila nuk ka as synimin më të vogël për territoret e Sirisë", tha ai.
"Ne kërkojmë që të përfundojë kërcënimi nga ai rajon për vendin tonë. Dhe, për këtë arsye po zhvillojmë një operacion kundër terrorizmit në Turqi", theksoi Yıldırım duke shtuar se që prej 7 vitesh në Siri po përjetohet një luftë e brendshme duke krijuar një boshllëk administrativ.
"Në Turqi jetojnë më shumë se 3.5 milionë sirianë me të cilët kemi ndarë bukën", shtoi ai.
Duke vënë theksin se në 7 muajt e fundit nga zona përtej kufirit janë kryer afërsisht 1.000 sulme ndaj Turqisë, Yıldırım potencoi se "Nuk mund të pritet që ne të tregohemi indiferent ndaj kësaj. Hap pas hapi ne po i pastrojmë terroristët, ku dhe aktualisht qendra e Afrinit është e rrethuar. Për ata që pyesin se ‘përse ky operacion ka zgjatur 50 ditë‘ them se ne nuk bombardojmë si të tjerët pa bërë dallimin civil apo terrorist".
"Ne përparojmë duke bërë dallimin mes civilëve dhe terroristëve dhe për këtë arsye kjo kërkon pak kohë. Aktivitetet e disa miqve tanë në rajon na shqetësojnë. Ka vende të NATO-s që bëjnë një gabim ku janë duke bashkëpunuar me organizatat terroriste për të eliminuar një tjetër organizatë terroriste. Kërkojmë që ata të bëjnë kthesë sa më parë nga ky gabim", theksoi Yıldırım.
Lidhur me marrëdhëniet mes Turqisë dhe Azerbajxhanit, Yıldırım tha se, "Turqia është gjithmonë pranë Azerbajxhanit. Kjo nuk është vetëm në kuptimin e zgjidhjes së problemit (të Karabakut të Sipërm) mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Kjo është një çështje për stabilitetin dhe sigurinë e të gjtihë rajonit".
Pasi ka bërë të ditur se populli turk nuk i sheh ndryshe vëllezërit nga Azerbajxhani, Yıldırım nënvizoi se ata që nga dita e parë kur e kanë njohur pavarësinë e Azerbajxhanit dhe kanë ndërtuar marrëdhëniet diplomatike, janë bashkë si në ditë të mira edhe në ditë të këqija.