Feyula Fehmi
15 Nëntor 2018•Përditësim: 15 Nëntor 2018
RIJAD (AA) - Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, tha se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi është një krim dhe gabim i madh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në kryeqytetin Rijad, ministri Jubeir tha se udhëzimet për ndjekjen penale të atyre që shkaktuan vrasjen e Khashoggit janë të hapura. "Ne e pranojmë se vrasja e Khashoggit është një krim dhe gabim i madh. Jemi të vendosur që përmes gjyqësorit të bëjmë përgjegjës ata që janë fajtorë për vrasjen", tha ai.
Pasi tërhoqi vëmendjen se në kuadër të hetimit janë në kontakt me palën turke, Jubeir tha se kryeprokuria e Arabisë Saudite është në pritje të më shumë provave në lidhje me çështjen, hetimi i së cilës është në vazhdim dhe se ende ka disa pyetje të cilat nuk kanë marrë përgjigje.
"Ne e kundërshtojmë politizimin e rastit Khashoggi dhe përpjekjet për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Arabisë Saudite. Është i papranueshëm ndërkombëtarizimi i rastit Khashoggi dhe se politizimi i kësaj çështjeje do të shkaktojë përçarje në botën islame", tha Jubeir.