Ayhan Şimşek
23 Shkurt 2018•Përditësim: 23 Shkurt 2018
BERLIN (AA) – Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, ka kritikuar vendimin e Gjermanisë për të ndaluar eksportet e armëve për Arabinë Saudite për shkak të aktiviteteve të saj ushtarake në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Nëse Gjermania ka problem me furnizimin e armëve në Arabinë Saudite, nuk do ta vendosim Gjermaninë nën presion. Nuk kemi nevojë për armët tuaja, do t'i marrim nga diku tjetër", tha ai në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Qeveria e kancelares Angela Merkel njoftoi muajin e kaluar se do të ndalonte miratimin e eksportit të armëve për të gjitha palët e përfshira në konfliktin e Jemenit.
Sipas marrëveshjes së koalicionit këtë muaj midis Kristian Demokratëve të Merkel dhe Social Demokratëve, gjithashtu u zotuan të ndalonin eksportet e armëve për vendet që janë drejtpërdrejt të përfshira në luftën në Jemen.
Al-Jubeir kritikoi qeverinë gjermane për zbatimin e një politike "të paqëndrueshme" mbi shitjet e armëve.
"A do të ndërpresë Gjermania po ashtu furnizimin me armë për shtetet që po luftojnë kundër DEASH-it në Siri dhe Irak? A do të ndalojë Gjermania eksportet e armëve në të gjitha vendet që po luftojnë kundër talebanëve në Afganistan?" pyeti ai.
Ministri saudit rikujtoi se koalicioni i udhëhequr nga sauditët ka ndërhyrë në Jemen vetëm pas një ftese nga qeveria legjitime e Jemenit, e cila u përball me grusht shtet të organizuar nga milicia Husi. "Lufta e Jemenit është një luftë e ligjshme", tha ai.