Kaamil Ahmed
03 Nëntor 2015•Përditësim: 03 Nëntor 2015
HEBRON (AA) - Temë e përditshme e banorëve të qytetit dikur më të madh dhe më vital të Bregut Perëndimor, Hebron, të cilin në tërësi e kontrollojnë izraelitët, në dyqanet, kafenetë dhe xhamitë lokale është numri i të rinjve palestinezë të vrarë në të shtënat e forcave izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).
Vetëm gjatë javës së kaluar, forcat izraelite të sigurisë kanë vrarë nëntë palestinezë të rinj. Tensionet janë pothuajse të prekshme veçanërisht në qytetin e vjetër të Hebronit, i cili njihet si arenë e përleshjeve midis palestinezëve dhe kolonëve hebrenjë. Numri më i madh i palestinezëve në atë pjesë të qytetit nuk dalin aq shpesh në rrugë.
Në atë pjesë të qytetit ndodhet edhe kompleksi i xhamisë Ibrahimi, të cilën hebrenjtë e thërrasin "Cave Machpelah", dhe për të cilën besojnë se "fsheh" varret e profetit Abraham, Isaac dhe Jacob. Që nga viti 1994 qeveria izraelite në këtë vend ka ndarë muslimanët dhe hebrenjtë pasi që ekstremisti, koloni hebrenj, Baruch Goldstein brenda xhamisë vrau 29 besimtarë muslimanë.
Pjesa e vjetër e qytetit në mesin e banorëve të Hebronit quhet "qyteti i fantazmave" për shkak të një sërë objektesh të mbyllura dhe rrugëve të boshatisura, veçanërisht në kohën e orës policore.
Pothuajse pas çdo këndi, ushtarët izraelitë jo vetëm që kontrollojnë gjithçka, por edhe caktojnë se kush mund të dalë nga qyteti. Në anën tjetër, gjithçka që në qytet hynë edhe nga vendet tjera si, Bethlehem, Beit Sahour dhe Ramallah kalon nëpër pikat e kontrollit të ushtrisë izraelite. Banorët përballen me rregullat strikte të kufizimeve të lëvizjes, ndërkohë që u ndalohet edhe hyrja në zona të caktuara.
Përndryshe, Hebron-i është shtëpia e pothuajse 200 mijë palestinezëve dhe 500 kolonëve hebrenjë, numri i të cilëve është duke u rritur me vendbanimet e reja të cilat i ruajnë ushtarët e armatosur izraelitë.