Nazmi Abduramani
03 Nëntor 2015•Përditësim: 04 Nëntor 2015
SHKUP (AA) - Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë me Iniciativën e Evropës Qendrore (CEI) do të mbajë konferencë ministrore me temë “Drejt Samitit klimatik në Paris 2015, sfidat për shtetet anëtare të CEI-it”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë ministrore për ndryshimet klimatike, e cila do të mbahet më 6 nëntor në Shkup, pritet që përmes prezantimit të të ashtuquajturave “Kontribute adekuate nacionale për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike të arrihen konkluzione të përbashkëta për mënyrat e veprimit të përbashkët midis politikave klimatike, energjetike dhe bë tjera në nivel rajonal.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi tha se si rezultat përfundimtar pritet një deklaratë e përbashkët në të cilën do të shkohet në Samitin e Parisit për ndryshimet klimatike.
“Duke parë rëndësinë e lidhjes së ndërsjellë, këmbimit të përvojave dhe ndërtimit të partneriteteve me palët e interesuara, në pjesën e dytë të konferencës do të mbahet një panel diskutim ku janë ftuar për pjesëmarrje përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqatave qytetare, përfaqësues të sektorit të biznesit dhe shkencëtarë nga sfera e ndryshimeve klimatike", tha ministri Izairi.
Nga ana tjetër ambasadorja e Francës në Maqedoni, Laurence Auer tha se Maqedonia është vendi i parë në Ballkan që miratoi programin kombëtar për ngrohjen globale.
“Është shumë me rëndësi të potencohet se përveç Maqedonisë, Serbia ishte vendi i dytë që përgatiti programin e saj kombëtar në qershor, por e para në Ballkan është Maqedonia që publikoi programin kombëtar në të cilën ka disa skenarë të parashikuara. Qëllimi i tij është zvogëlimi i ngrohjes globale për 1.5 deri në 2 shkallë sipas skenarëve të para të cilat ishin paraparë në vitin 1990. Me Aleancën e Parisit do të duhet të miratohen drejtime të caktuara ku edhe Maqedonia do të ketë pjesëmarrje të rëndësishme”, tha Oer.
Ajo shtoi se edhe Maqedonia është e rëndësishme pavarësisht asaj se vendi emeton më pak dioksid karbon krahasuar me Kinën dhe SHBA-të. Oer theksoi se secili vend është i rëndësishëm ngase çdo vend në të ardhmen do të duhet të japë kontributin e vet, që do të thotë energji më të lirë elektrike, transport më të lirë në të mirë të qytetarëve.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni, Louisa Vinton tha se ndryshimet klimatike janë sfidë serioze për OKB-në.
“Për Kombet e Bashkuara në nivel global ndryshimet klimatike me të vërtetë janë sfidë serioze, siç thekson edhe Sekretari i përgjithshëm i OKB-së. “Ndryshimet klimatike janë sfida që definon ditët e sotme. Për ndryshimet klimatike dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë për qëndrueshmërinë, viti 2015 është kyç. Vit në të cilin do të duhet të miratohet vendime të rëndësishme për këto çështje”, tha Vinton.
Parisi do të jetë nikoqir i Konferencës COP 21 për ndryshimet klimatike i cili do të fillojë më 30 nëntor. Kjo Konferencë fillimisht fillon me Samit të presidentëve, ku të gjithë presidentët do ta hapin Konferencën për t’i dhënë nxitje temës e cila është e posaçme. Ndërsa më pas do të zhvillohen negociata për ndryshimet klimatike deri më 10 dhjetor.