Umur Koçak Semiz
19 Qershor 2016•Përditësim: 20 Qershor 2016
WASHINGTON (AA) – Kandidatja tashmë e sigurtë e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Hillary Clinton për herë të dytë është bërë gjyshe, raporton Anadolu Agency (AA).
Chelsea Clinton, vajza e ish-presidentit amerikan Bill dhe ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton, njoftoi se ka lindur një djalë të cilit i vendosi emrin Aidan Clinton Mezvinsky. Përmes rrjetit social Twitter, Chelsea njoftoi se ajo dhe foshnja e saj janë mirë.
Chelsea dhe bashkëshorti i saj Marc Mezvinsky para dy viteve u bënë prindër pas lindjes së vajzës Charlotte. Chelsea, e cila ka studiuar në universitetet në Stanford dhe Columbia, ndërsa më vonë ka doktoruar në Oxford, punon në sektorin financiar dhe është mbështetje e madhe e nënës Hillary në fushatën aktuale për zgjedhjet presidenciale.
Para lindjes, Chelsea më 7 qershor për herë të fundit me nënën Hillary është paraqitur në tubimin parazgjedhor në Brooklyn.