İdris Okuducu
17 Nëntor 2016•Përditësim: 18 Nëntor 2016
MOSUL (AA) - İDRİS OKUDUCU
Civilët e fshatrave të Mosulit të cilët janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të operacionit për çlirimin e këtij qyteti, nuk shkojnë dot në kampet e refugjatëve, pasi janë të detyruar të ruajnë burimin e vetëm të jetesës së tyre, kafshët. Sytë e tyre shikojnë në horizont duke pritur ndihmat humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Banorët e fshatrave të qytezës Nimrud të cilët për shkak të përleshjeve të armatosura mes ushtrisë irakiane dhe organizatës terroriste DEASH kanë lënë shtëpitë e tyre, presin në qiell të hapur në afërsi të lumit Dixhle për ndihma humanitare.
Për shkak të kafshëve të imta që ato kanë, nuk mund të shkojnë në kampet e refugjatëve të ngritura në zonat e sigurta, të kontrolluara nga kurdët e Irakut Verior. Civilët, "kurbanë" të konflikteve qëndrojnë buzë lumit, ndërkohë që nuk mund të kalojnë as përtej tij për shkak të sigurisë. Ata presin ushqime dhe ujë të pijshëm.
Kenan Ahmet, një banor i kësaj krahine thotë për AA se edhe pse jeton në një nga zonat më pjellore në rajonin e Mesapotamisë, ai nuk ka as edhe një kafshatë për ti dhënë fëmijëve të tij.
Duke theksuar se pas përshkallëzimit të konfliktit mes ushtrisë irakiane dhe organizatës terroriste DEASH ai është detyruar të lërë shtëpinë e tij, Ahmed thotë: "Pas përshkallëzimit të konflikteve fëmijët filluan të frikësohen. Kur pamë që siguria po cenohej, morëm fëmijët dhe kafshët dhe u larguam që aty. Prej 3 ditësh jemi këtu. Nuk na lejojnë që të kalojmë lumin dhe të shkojmë as në zona më të sigurta. Momentalisht po presim në buzë të lumit. Na kanë mbaruar ushqimet. Kemi nevojë për ujë të pijshëm."
Ahmed thotë se për shkak të luftës ende nuk dihet se kur mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ndërsa një tjetër banorë, Xhasim Muhammed shprehet se "Mënyra e vetme për të jetuar këtu është të merresh me blegtori. Kur braktisëm shtëpitë tona morëm dhe kafshët. Por prej 3 ditësh nuk mundëm t'ju sigurojmë ushqim as atyre. Çdo ditë ngordhin një nga një. Nuk kemi mundësi tjetër vetëm se të presim të pashpresë. Në kamp nuk na pranuan për shkak se kishim bagëtitë." Muhammed thotë gjithashtu se kërkojnë ndihma.
Forcat irakiane më 14 nëntor morën nën kontroll qytezën Nimrud e cila ndodhet në juglindje të Mosulit.