Fatjon Cuka
15 mars 2016•Përditësim: 16 mars 2016
TIRANË (AA) - Sot në Shqipëri shënohet Dita Ndërkombëtare e Konsumatorëve. Në këtë kuadër Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit të Shqipërisë, ka ndërmarrë iniciativën për zhvillimin e një fushate ndërgjegjësuese me sloganin "Përdorni të drejtat tuaja", raporton Anadolu Agency (AA).
Si pjesë e kësaj fushatë parashikohet zhvillim i disa aktiviteteve, ku janë të vendosura stenda në disa zona të Tiranës dhe ku do të shpërndahen broshura me informacione për të drejtat e konsumatorëve.
Ministra e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit të Shqipërisë, Milva Ekonomi, në një prononcim për AA, u shpreh se qëllimi kryesor i kësaj fushate është që konsumatorët shqiptarë të njohin më mirë të drejtat e tyre.
"Të njohësh një të drejtë do të thotë të kuptosh se ku duhet të ankimohesh nëse nuk plotësohen kërkesat për produktin që kërkohet të konsumohet. Për këtë arsye ne bëjmë thirrje të ankimohen direkt tek blerësi dhe nëse blerësi nuk jep një zgjidhje të shkohet tek shoqata e konsumatorëve dhe më pas të ndiqet rruga pushtete vendor dhe pushtete qendror"- u shpreh Ekonomi.
Gjithahstu në kuadër të Ditës Ndërkombëtare e Konsumatorëve do të organizohet edhe një tryezë e përbashket diskutimi me perfaqesues të institucioneve shtetërore, shoqatave të konsumatoreve dhe atyre të biznesit.
Të drejtat bazë të konsumatorit, që promovohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit të Shqipërisë, janë ata që lidhen me mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, sigurisë së jetës, e drejta e ankimit dhe mbrojtjes ligjore, e drejta për dëmshpërblim dhe mbrojtjes së interesave ekonomike dhe e drejta e organizimit në shoqata dhe marrjes së informacionit.