Ivana Ramadanova
15 mars 2016•Përditësim: 16 mars 2016
SHKUP (АА) - Me rastin e 15 marsit, Ditës Botërore të të drejtave të konsumatorit, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Maqedonisë organizoi eventin promovues me theks të veçantë të heqjes së antibiotikëve nga përdorimi, raporton Anadolu Agency (AA).
Aneta Dimovska nga Ministria e Ekonomisë tha se motoja e sivjemë me të cilën shënohet kjo ditë në suaza botërore është “Antibiotikët jasht nga menuja”. Sipas saj, qëllimi është të diskutohen të arriturat nga viti i kaluar dhe të ndermerren aktivitete për të rritur cilësinë në pjesën e mbrojtjes së konsumatorëve.
Siç tha ajo, Inspektorati Shtetëror i Tregut në Maqedoni vitin e kaluar ka zbatuar mbi pesë mijë mbikëqyrje vetëm në pjesën e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, nga të cilët rreth një mijë kanë qenë pas raportimeve të qytetarëve.
“Pakënaqësia më e madhe e konsumatorëve ka të bëjë me produktet jocilësore, në veçanti teknika e bardhë, telefonët celularë, kompjuterët dhe shërbimet jocilësore” tha Dimovska.
Nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë thonë se me qëllim të detektimit sa më të mirë të vlerës nutricioniste të produkteve ushqimore është vënë në përdorim një aplikacion mobil i cili mundëson të shihet përqindja e yndyrërave, sheqerit dhe kripërave të cilat ndikojnë ndaj shëndetit të njeriut.
Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Popovski, nga ana e tij tha se inspektorati vazhdimisht është në terren dhe se numri i parashtresave në pjesën e ushqimeve është rritur.
“Numri i parashtresave po shënon rritje në pjesën e ushqimeve mirëpo në të njëjtën kohë po rritet edhe numri i parashtresave të pabaza që do të thotë se konsumatorët duhet të informohen më shumë në pjesën e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit”, tha ai.
Organizator i ngjarjes ishte Shoqata e Mbrotjes të Konsumatorëve në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencia për Komunikime Elektronike dhe ajo për Ushqim dhe Veterinari.