Fatjon Cuka
18 Nëntor 2015•Përditësim: 19 Nëntor 2015
TIRANË (AA) - Policia e Tiranës ka përmbyllur orët e fundit operacionin anti-drogë, që e konsideron më të gjerë të kryer vitet e fundit në Shqipëri. Policia ka konfirmuar se ka shkatërruar një ndër grupet më të strukturuara të shpërndarjes së narkotikëve, duke u nisur nga organizatorët, koordinatorët dhe shpërndarësit e drogërave të forta në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, ku janë arrestuar 25 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Tiranës, për një periudhë 2 vjeçare mendohet se ky grup ka shpërndarë lëndë narkotike me vlerë tregu rreth 900 mijë euro.
Ky operacion i koduar “Epilog” është realizuar pas një hetimi 6-mujor kryer nga Seksioni Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës ku është dokumentuar, sipas policisë, veprimtaria kriminale e një prej grupeve më të mëdha të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë, si heroinë dhe kokainë , por jo vetëm, në zonat më të frekuentuara të qytetit të Tiranës.
Shtetasit e arrestuar janë: Halil Sallaku, 47 vjeç, Gëzim Demiri, 40 vjeç, Sonila Dinoshi, 31 vjeç , Astrit Beka, 43 vjeç, Alfred Naço, 50 vjeç, Toni Naço, 18 vjeç, Spartak Piciri, 47 vjeç, Sali Sallaku, 20 vjeç, Indrit Sallahu, 20 vjeç, Rudolf Kallbaqi, 32 vjeç, Bledi Çarçani, 43 vjeç, Dardan Jaku, 31 vjeç, Dardan Prengzi, 30 vjeç, Atrias Çizmja, 20 vjeç, Alkan Markaj, 27 vjeç, Evis Dalanaj, 38 vjeç, Aurora Liço, 28 vjeç, Donard Belaj, 33 vjeç, Haki Belaj, 42 vjeç, Eni Malaj, 26 vjeç, Igli Muhameti, 22 vjeç, Gentian Xhelili, Elis Mali (Sefa), 35 vjeç, Elsi Rroshi, 32 vjeç dhe Aldo Leka, 23 vjeç,
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas dhe janë shpallur në kërkim pesë të tjerë, si dhe janë sekuestruar mbi 1 kilogramë heroinë, armë, 10 automjete, dhe një sasi parash.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale"Prodhim shitje të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”.