Besar Ademi
05 Janar 2016•Përditësim: 06 Janar 2016
SHKUP (AA) – Në disa lokacione sot të Shkupit u mbajt fushatë për mbrojtjen nga zjarri me rastin e ndezjes së zjarreve të Buzmit, e cila është traditë në prag të festës së madhe të krishterëve ortodoks Krishtlindjet sipas kalendarit Julian, raporton Anadolu Agency (AA).
Fusahta ka për qëllim edukimin e qytetarëve se si të veprojnë me zjarrin, i cili paraqet mënyrën tradicionale të shënimit të festës së madhe krishtere, ndërkohë që paraqet edhe një rrezik të mundshëm për përhapje të zjarrit.
Organizatorët porosisin qytetarët që në kohën e kremtimit të festës së Buzmit të kenë kujdes me ndezjen e zjarrit.
“Zjarri duhet të ndizet në një lokacion të siguruar. Në afërsi prej 20 metrash të mos ketë të parkuar ndonjë makinë. Të kemi kujdes me fëmijët të mos i afrohen zjarrit, si dhe pas kremtimit të festës të ndalet zjarri”, thotë Petar Pllotnikov njëri nga organizatorët e fushatës.
Në Natën e Buzmit besimtarët ortodoks vendosin në zjarr një copë kërcuri të trashë, i cili sipas tyre duhet të jetë aq i madh, që të mjaftojë që zjarri të digjet gjatë tërë natës. Besohet se shkëlqimi i flakës gjatë tërë ndatës përcakton një vit të mbarë dhe të bereqetshëm.