Mücahid Eker
11 Janar 2017•Përditësim: 12 Janar 2017
STAMBOLL (AA) - Gjatë tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETÖ më 15 korrik Mehmet Şevket Uzun humbi jetën, ndërkohë që kryente detyrën e tij si shefi i sigurisë në Borsa Istanbul (Bursën e Stambollit). Amanetin për ruajtjen e këtij institucioni pas kaq muajsh e mori vëllai i tij Mete Uzun, i cili më parë ishte nënoficer në forcat speciale të xhandarmërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Puçistët, anëtarë të FETÖ-s më 15 korrik gjatë tentativës për marrjen nën kontroll të Bursës së Stambollit vranë civilë të cilët u munduan të pengojnë hyrjen në këtë institucion si dhe dy efektivë të policisë që dolën kundër hyrjes në të, Mehmet Şevket Uzun dhe Fatih Satır. Drejtuesit e Bursës ngritën një lapidar në nder të të rënëve gjatë këtyre ngjarjeve, madje edhe ndihma ndaj familjarëve të të rënëve vazhdon.
Por ajo që është më e rëndësishmja ishte kontaktimi i bordit drejtues të këtij institucioni me vëllain e madh të të rënit në detyrë, policit Mehmet Şevket Uzun. Bordi drejtues vendosi që në shenjë solidariteti në vend të punës që kryente dëshmori të marrë në të njëjtën detyrë vëllain e tij Mete Uzun.
Në njoftimin për marrjen e tij, zyrtarët e Bursës së Stambollit thanë se ai "ishte pikërisht i kërkuari për sigurinë e këtij institucioni". Uzun prej 20 vitesh ka shërbyer në forcat speciale të xhandarmërisë, ndërsa në vitin 2008 gjatë një konflikti të armatosur me terroristët në Tunceli është plagosur në ballë nga një plumb.
Ndërsa vetë Uzun thotë: "Nderi i dëshmorit paska qenë për vëllain tim. Zoti ma mundësoftë edhe mua. Shpresoj që vetë ai do të jetë fqinj i Peygamberit tonë të dashur."
Duke vënë në dukje se çdo mëngjes përpara fillimit të punës ai vjen tek lapidari dhe lutet për vëllain e tij, Uzun në vijim thotë: "Shpresoj që do të vazhdoj të ruaj amanetin që la vëllai im."
Gjurmët e 15 korrikut
Uzun thotë se drejtuesit e institucionit të vetëm financiar që u bë objekt i sulmit agresor të puçistëve janë interesuar nga afër me familjen e vëllait të tij. Ai vë në dukje se gjurmët e sulmit të asaj nate duken lehtë në pjesën para hyrjes së institucionit, në lapidarin e ngritur për nder të të rënëve, si dhe në shtyllën e flamurit.
Mete Uzun thotë se e ka telefonuar vëllain e tij atë natë dhe se i ka kërkuar atij që të bëjë kujdes, por më pas sikurse shpjegon dhe vetë ai, thotë se nuk ka mundur të komunikojë më me të.
"Nëna ime me nuk kishte mundur të kontaktojë me të. Folëm me bashkëshorten e tij dhe na tha se kishte marrë një plagë në këmbë, por se më pas nuk kishte mundur të kontaktojë më me të. U nisëm drejt Stambollit me motrën time dhe bashkëshorten e vëllait, por gjatë rrugës morëm lajmin se ai kishte rënë dëshmor."
Mete Uzun tregon se sa i lidhur ka qenë ai me vëllain e tij dhe faktin që ai i mungon shumë.
"Kemi rritur masat e sigurisë"
Mete Uzun duke vënë në dukje se siguria nuk është një term i huaj për të thotë se ai punon në mënyrë që asnjë punonjës dhe vetë institucioni të mos kenë probleme me sigurinë dhe se ata kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në këtë drejtim.
Mete Uzun thotë gjithashtu se në përputhje me gjendjen aktuale në vend ata kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e Bursës së Stambollit.