Can Erözden
27 Dhjetor 2021•Përditësim: 28 Dhjetor 2021
Ndeshja e Premierligës angleze e planifikuar të zhvillohej në Londër ndërmjet Arsenalit dhe Wolverhampton Wanderers-it u shty nga organizatorët për shkak të koronavirusit (COVID-19) dhe lëndimeve në skuadrën e Wolves-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Udhëtimi i Wolves-it në Arsenal të martën më 28 dhjetor është shtyrë, pasi (menaxheri) Bruno Lage ka një numër të pamjaftueshëm lojtarësh në dispozicion për të realizuar ndeshjen”, tha klubi në një deklaratë.
“Rezultatet pozitive me COVID-19 dhe lëndimet çuan që Wolves të kërkonte shtyrjen e ndeshjes, e cila u pranua herët, për t’u dhënë mbështetësve një periudhë dyditore njoftimi”, tha skuadra.
Orari i ndeshjes do të ricaktohet.
Më herët gjatë javës, liga e lartë angleze shtyu ndeshjen midis Wolverhampton-it dhe Watford-it për të njëjtën arsye.
Watford nuk ishte në gjendje të siguronte mjaftueshëm lojtarë në fushë për shkak të numrit të madh të rasteve me COVID-19 brenda ekipit.
Liga kohët e fundit iu rikthye masave urgjente për COVID-19, duke përfshirë protokolle si testimi më i shpeshtë, mbajtja e mbulesave të fytyrës gjatë qëndrimit brenda dhe respektimi i distancimit social, për shkak të rritjes së fundit të infeksioneve në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.