Agim Sulaj
12 nëntor 2021•Përditësim: 12 nëntor 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit një person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) ka vdekur, me çka numri i përgjithshëm i tyre është rritur në 2.979, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi po ashtu ka regjistruar 16 raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 160.927 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me këtë virus.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 1.351 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë kryer gjithsej 1.289.384 teste.
Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat njoftojnë për 17 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 157.521, ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 427.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 2.137 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.591.886 doza të vaksinës. Deri më sot 747.723 qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e nevojshme kundër virusit.