Ekip
16 Mars 2022•Përditësim: 16 Mars 2022
Pakistani ka njoftuar heqjen e të gjitha kufizimeve të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), pas rënies së numrit të infeksioneve në të gjithë vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke shpallur vendimin në kryeqytetin Islamabad, ministri federal i Planifikimit, Asad Umar, i cili po ashtu drejton strategjinë anti-COVID të Pakistanit, tha se vendi “po kthehet në normalitet”.
“Ne gradualisht duhet të kthehemi drejt një jete normale, të zakonshme, sepse duket se pandemia do të vazhdojë dhe do të bëhet pjesë e jetës sonë. Kjo është arsyeja pse qeveria ka vendosur të heq të gjitha kufizimet që kanë të bëjnë me COVID-19”, tha Umar.
Të gjitha shkollave, kolegjeve, zyrave qeveritare dhe transportit u është lejuar të funksionojnë me kapacitet të plotë. Po ashtu është hequr edhe ndalimi i ngrënies në hapësira të mbyllura dhe organizimi i ngjarjeve në sallat e dasmave.
Megjithatë, tha ministri pakistanez, akoma këshillohet marrja e vaksinës kundër COVID-19.
“Sot në mbledhjen e NCOC-it (Qendra Kombëtare e Komandës dhe Kontrollit) u vendos që të hiqen të gjitha kufizimet, përveç kufizimeve të vaksinimit. Të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar duhet të vaksinohen plotësisht në mënyrë që të shmangin të gjitha kufizimet. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë sistemin nga afër dhe do të marrin masa nëse është e nevojshme”, shkroi Umar në rrjetet sociale.
Ai tha se rreth 70 për qind e popullsisë së Pakistanit është vaksinuar plotësisht ndërsa 87 për qind e qytetarëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19.
Pakistani brenda ditës së fundit regjistroi 493 infeksione të reja, duke arritur në mbi 1.52 milionë numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19. Deri më tani në vend mbi 30 mijë persona e kanë humbur jetën nga COVID-19.