Besar Ademi
06 Janar 2016•Përditësim: 07 Janar 2016
SHKUP (AA) – Besimtarët e krishterë ortodoks të Maqedonisë para Tempullit “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, për të 24-tën herë me radhë tradicionalisht festuan Buzmin, një ditë para festës së madhe krishtere, Lindjes së Krishtit – Krishtlindjet, raporton Anadolu Agency (AA).
Manifestimi filloi me himnin dhe promovimin e flamurit të Buzmit dhe pasoi sipas traditave me shenjtërimin e degëve të buzmit, rakisë së nxehtë dhe çajit nga priftërinjtë e Tempullit. Në përfundim të manifestimit, arkipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefani, ia dorëzoi qypin e Buzmit kumbarit të këtij viti, Ilija Malinkovski.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, Stefani në fjalën e tij qytetarëve u uroi shëndet, lumturi dhe sukses. Ai shtoi se para 20 shekujve Krishti lindi në një kohë ku mbizotëronte kriza morale dhe shpirtërore, pasiguria ekonomike dhe politike, si dhe ku mbizotëronin grabitja, dhuna dhe tirania.
“Kështu ishte bota para 20 shekujve. Mirëpo, njëjtë duhet të pyesim si është kjo tokë e shenjtë dhe shoqëria e saj sot, si është Lindja e Mesme dhe e largët, si është në Afrikë, si është tek ne në Ballkan dhe veçanërisht si do të jetë në Evropë”, tha kryepeshkopi Stefan, duke apeluar për paqe dhe miqësi mes popujve, kulturave dhe feve të ndryshme.
Familjarët ortodokse për Buzmin mblidhen në darkë dhe sipas traditës këtë natë nuk shkohet në gosti. Përgatitet tryezë e pasur kremte dhe gatuhet kulaç, ndërsa në disa vende bëhen lakrorë në të cilat futet monedhë. Besohet se ai tek i cili do të bie monedha do ta ndjekë fati gjatë tërë vitit. Gjithashtu natën e festës së Buzmit në zjarr vendoset një degë buzmi, e cila llogaritet si dru i shëndetshëm, që të jenë me shëndet e gjithë familja.
Krishtlindjet festohen në kujtim të lindjes së Jezu Krishtit, si festë amë e të gjitha festave krishtere, pasi që me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re.