Agon Fehmiu
06 Janar 2016•Përditësim: 06 Janar 2016
PRISHTINË (AA) - Kisha ortodokse serbe dhe besimtarët e saj në Kosovë, sot e festojnë Ditën në Prag të Krishtlindjes ortodokse prandaj në mjediset e banuara me serbë, çdo gjë është në shenjë të kësaj feste, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot, në ditën e Krishtlindjes ortodokse, serbët e Kosovës qendrore, kryesisht meshkujt zgjohen herët në mëngjes dhe shkojnë për të prerë dushkaja në malin me lisa, pranë liqenit të Badovcit afër Prishtinës.
Shiu me akull dhe moti i keq nuk i ka ndalur serbët e Kosovës që edhe sot t’i kryejnë ritet e tyre fetare dhe ta respektojnë traditën.
Novica Filipoviq nga Graçanica ka ardhur me djemtë e tij për të prerë drurin e vitit të ri dhe dushkajat për familjen e tij.
“Për fenë dhe besimtarët ortodoks nuk ka ditë më të lumtur se dita e lindjes së jezu Krishtit. Kjo festë kremtohet në Kosovë me vite, paraardhësit tanë e kanë festuar dhe ne po e vazhdojmë traditën, në mënyrë që edhe nipat dhe stërnipat tonë ta vazhdojnë traditën e baballarëve dhe gjyshërve tanë”, tha Filipoviq.
Momir Moraça nga fshati Suhodoll i komunës së Lipjanit thekson se çdo vit në Ditën në Prag të Krishtlindjeve, serbët e Kosovës qendrore sipas traditës shkojnë në mënyrë të organizuar për të prerë dushkajat.
“Me bekim, do të thotë me verë, fillimisht e bëjmë lutjen e ditës së sotme dhe festës. Pastaj e pimë verën dhe e premë dushkun e parë për të vazhduar shoqërimin tonë në fshat. Dëshiroj që t’iu uroj Krishtlindjen e nesërme të gjithë besimtarëve të fesë ortodokse, që t’i kalojnë në shëndet dhe hare këto festa dhe të gjithë të tjerët që nuk e festojnë këtë festë, të ndihen në harmoni me frymën e kësaj feste, paqes dhe tolerancës”, thekson Moraça.
Të gjithë ata që personalisht nuk kanë patur mundësi të shkojnë në prerjen e dushkut, drurin e Krishtlindjeve ortodoks kanë mundësi ta blejnë nëpër rrugët e Graçanicës.
Sipas traditës, në ora 16:00, nëpër kishat dhe manastiret ortodokse fillon ceremonia e Rojes së Krishtlindjes, pastaj mbahet shenjtërimi dhe në fund ndezja e dushkajave të Krishtlindjeve. Nesër në mëngjes, festa vazhdon me mbajtjen e liturgjisë dhe bashkimit për Krishtlindje, me çka i jepet fund agjërimit 40 ditor ortodoks.