Admir Fazlagikj
08 Prill 2016•Përditësim: 09 Prill 2016
SHKUP (АА) - Në konferencën e sotme për media Panairi i Shkupit paralajmëroi tre manifestimet e ardhshme - Panairin e Librit, Ditët e arsimit dhe karrierës dhe Shkupi travel market, raporton Anadolu Agency (AA).
Sanja Kondarko, menaxhere e projektit në Panairin e Shkupit, duke e paralajmëruar nisjen e Panairit të 28-të të Librit në Shkup, tha se kjo është një nga panairet më tërheqëse, i cili tradicionalisht tërheq një numër të madh të vizitorëve. Sipas saj, gjatë ditëve të panairit që do të mbahet nga 12 prill deri më 18 prill, pritet të vijnë rreth 40 mijë vizitorë.
"Java e ardhshme do të jetë në shenjën e librit. Me të vërtetë ofertë interesante nga veprat klasike bashkëkohore, autorët klasik bashkëkohor, literaturë profesionale shkencore, beletristikë, bestseller, pastaj letërsi për fëmijë, për shijen e të gjithëve dhe për xhepin e të gjithëve. Ekspozuesit do të ofrojnë ulje të çmimeve nga 10 deri në 70 përqind, individualisht çdo ekspozues", informoi Kondarko.
"Do të ketë mjaft lexime letrare, shoqërim me autorët por edhe në qendrën promovuese ku janë paraparë më shumë se 30 promovime. Orari i punës është nga ora 10 deri në ora 20, çmimi i biletës është 30 denarë, kurse vizitë grupore 20 denarë", tha ajo duke folur për Panairin e sivjemë të Librit.
Janë paralajmëruar edhe dy panaire të tjera, Ditët e arsimit dhe karrierës, ku institucionet e arsimit të lartë do të paraqesin ofertat e tyre, ndërsa nga data 14-16 prill Panairi i Turizmit, ku agjencitë turistike do t'i paraqesin ofertat e tyre.