Nga skena e qytetit në jetën e fshatit: Bari dhe mësues baterie
Rreth dy vjet më parë, Feyzi Filiz vendosi të kthehej në shtëpinë e babait në lagjen rurale Başil të rrethit Yenisehir, për të ndihmuar familjen e tij që merrej me blegtori
Ahmet Kaplan
14 qershor 2026•Përditësim: 14 qershor 2026
photo: Ahmet Kaplan / AA
DIYARBAKIR
Feyzi Filiz, i cili për shumë vite ka dalë në skena si baterist në Bursa të Turqisë, me kërkesë të familjes është kthyer në vendlindjen e tij në Diyarbakir dhe atje punon si bari dhe mësues i baterisë.
I lindur në vitin 1984 në Diyarbakir, Filiz ka mësuar të luajë këtë instrument ritmik në moshë të vogël, duke u frymëzuar nga vëllai i tij që luante bateri në dasma.
Në vitin e fundit të shkollës së mesme, ai krijoi një grup muzikor me miqtë e tij dhe filloi të luante bateri në kafetë ku performonin si grup.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Filiz punoi në sektorë të ndryshëm në Antalya dhe Izmir, ndërsa në këtë periudhë vazhdoi të luante bateri, për të cilën kishte një pasion të madh.
Foto : Ahmet Kaplan/AA
Ai u vendos në Bursa me kërkesë të familjes së tij, dhe atje, në kuadër të një grupi muzikor, mori pjesë në programe të transmetuara në kanalet lokale televizive të qytetit.
Pas shpërbërjes së grupit, Filiz vazhdoi për një kohë të gjatë të performojë si baterist në vende të ndryshme të qytetit.
Megjithëse familja e tij u kthye në vendlindje në Diyarbakir në vitin 2008, Filiz vazhdoi të jetonte në Bursa dhe të punonte si baterist.
Rreth dy vjet më parë, Filiz vendosi të kthehej në shtëpinë e babait në lagjen rurale Başil të rrethit Yenisehir, për të ndihmuar familjen e tij që merrej me blegtori.
Ai u kujdes për lopët e familjes dhe punoi si bari, ndërsa njëkohësisht jep mësim baterie dy ditë në javë për fëmijë dhe të rritur në një qendër private arti në qendër të qytetit.
- "E lashë jetën në rezidencë, u bëra bari"
Në lagjen rurale, bateristi 42-vjeçar Filiz, i njohur edhe si "bariu me vath", “bariu me tatuazhe”, tha për Anadolu se si fëmijë përpiqej të mbante ritëm duke goditur lugët në tavolinë, pjatë dhe tenxhere.
Filiz tha se kishte mësuar baterinë duke u frymëzuar nga vëllai i tij që luante bateri, dhe se për një periudhë u bashkua me një grup muzikor në Bursa, ku performonin në kafene dhe ai luante bateri.
Foto : Ahmet Kaplan/AA
"Pasi vëllai im shkoi në Gjermani, nëna ime filloi të më thërriste në vendlindje. Mora një vendim të papritur, e lashë jetën në rezidencë, u vendosa në fshat dhe u bëra bari. Procesi i përshtatjes nuk ishte i vështirë për mua. Edhe nëna edhe babai më mbështetën shumë në këtë drejtim. Mjel lopët, i kullos, u jap ushqim, kujdesem për pastërtinë e tyre. Po përpiqem të heq gjithë barrën nga prindërit e mi që ata të jetojnë më të qetë, të shëndetshëm dhe të lumtur", theksoi ai.
- "Më paragjykuan për vathët, piercingun dhe tatuazhet"
Filiz tha se kur u kthye për herë të parë në fshat, njerëzit reaguan ndryshe për shkak të vathëve dhe tatuazheve të tij, duke shtuar: "Në fillim u paragjykova shumë për shkak të vathëve, piercingut dhe tatuazheve. Më pas të gjithë në fshat u mësuan me këtë. Madje ndonjëherë më quajnë 'bariu me vath' ose 'bariu me tatuazhe'."
Ai shtoi se nuk e ka lënë pas pasionin për baterinë edhe gjatë kohës që punon si çoban, duke thënë se herë pas here vazhdon të luajë bateri në shtëpinë e tij në zonën rurale.
- "Koncertin e parë ua jap lopëve të mia"
Duke shprehur interes për instrumentin me goditje "handpan" (një instrument metalik që luhet me duar dhe ka tinguj mistikë e relaksues), Filiz tha se po përpiqet ta mësojë edhe këtë instrument.
Foto : Ahmet Kaplan/AA
"Herë pas here në ahur ose në natyrë u jap lopëve të mia koncertin e parë. (Handpan) Ka një tingull shumë të butë, të ëmbël dhe të bukur. Kur e luaj në ahur apo këtu, duke qenë se e di që lopët nuk frikësohen dhe nuk ikin, kjo më bën shumë të lumtur" tha ai.
- "I suksesshëm si në bateri ashtu edhe në kujdesin e kafshëve"
Nëna e tij, Sabahat Filiz, tha se djali i saj ka pasur që fëmijë interes për instrumentet me goditje dhe vazhdimisht krijonte ritëm me enë kuzhine.
Një nga nxënësit e tij, 9-vjeçari Çakıl Tunç, tha se ishte habitur kur mësoi se mësuesi i tij është gjithashtu bari.
"Dua ta shoh mësuesin tonë duke kullotur lopët. Është me vathë, me tatuazhe, baterist dhe mban edhe lopë" tha ai.
Edhe 9-vjeçari Civan Mert Akaslan tha se kishte filluar mësimet e baterisë pasi kishte provuar më parë darbukën dhe se mësimet individuale i kushtojnë më shumë vëmendje. Ai shtoi se ishte habitur kur mësoi se mësuesi i tij punon si bari dhe se pamja e tij nuk përputhej me imazhin e një bariu.