Dzihat Aliju
24 qershor 2026•Përditësim: 24 qershor 2026
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, është zhvilluar një koncert i muzikës së tasavufit, ku performuan artisti shkupjan Burhan Shaban dhe Mustafa Demirci nga Turqia, raporton Anadolu.
Në koncertin e organizuar në Sallën e Filarmonisë me mbështetjen e Halkbank Shkup, në organizim të Institutit Yunus Emre (YEE) dhe Shoqatës Ensar me qendër në Shkup, morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendase në vend, si dhe shumë qytetarë.
Drejtori i Përgjithshëm i Halkbank Shkup, Fatih Sahbaz, në fjalën e tij tha se dy artistët shërbejnë si urë lidhëse mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
"Tasavufi është një shpirt që është përthithur në këto troje dhe në shumë vende të Turqisë. Dëshiroj që pasqyrimi i këtij shpirti tek secili prej nesh dhe këto melodi të tasavufit t'i pëshpërisin gjëra të bukura shpirtit tonë", tha Sahbaz.
Koordinatori i YEE-së në Shkup, Yunus Dilber, nga ana e tij, tha se si institucion këtë vit kanë realizuar aktivitete të ndryshme në rreth 70 vende të botës në kuadër të Javës së Ditëlindjes së Profetit Muhamed, duke shtuar: "Shpresojmë që të jetë një program i bukur përkujtimor".
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Ensar, Suleyman Baki, tha se si shoqatë që nga viti 2002 vazhdojnë t'u shërbejnë njerëzve të vendit pa bërë dallime, kryesisht në fushën e arsimit, por edhe në ndihmë reciproke dhe kulturë.
"Vazhdojmë pa ndërprerje me projekte dhe aktivitete që i drejtohen botës sonë shpirtërore në çdo fushë të kulturës sonë nga aspekti shpirtëror", u shpreh ai.
Pas fjalimeve, pjesëmarrësit e ndoqën me interes koncertin e interpretuar nga artistët Shaban dhe Demirci.