Agim Sulaj
19 Tetor 2022•Përditësim: 20 Tetor 2022
Nën organizimin e Ambasadës së Japonisë në Kosovë është mbajtur mbrëmje japoneze në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Tingujt e instrumentit japonez Koto me të cilin u interpretuan disa këngë folklorike të shoqëruara me pjesë vallëzimi japonez, mblodhën mysafirë të shumtë në amfiteatrin e Universitetit të Prishtinës.
Artistja Atsuko Suetomi interpretoi melodi të ndryshme në instrumentin Koto, ndërsa Rokufumi Izumi interpretoi pjesë të vallëzimit tradicional japonez.
Mbrëmjen japoneze e hapi ambasadori i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, ndërsa në koncert mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili në një fjalë rasti tha se kultura është ura më e mirë ndërmjet kombeve.
Kurti tha se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Japonisë në fushën e muzikës tashmë është i fortë dhe dirigjenti japonez Toshio Yanagisaëa, i cili është dirigjent i Orkestrës Filharmonike të Kosovës që nga viti 2007, ka dhënë një kontribut të madh në muzikën kosovare.
Artistja Suetomi aktualisht jeton në Istanbul dhe vazhdon aktivitetet e saj performuese dhe zhvillimin e studentëve të saj.
Mbrëmja japoneze në Prishtinë, e cila do të mbahet gjithashtu edhe nesër në një kolegj të kryeqytetit, përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe një nga sponsorët e saj është edhe Turkish Airlines.