Ekip
30 gusht 2021•Përditësim: 31 gusht 2021
Pas zjarreve shkatërruese të kësaj vere, qeveria konservatore e Greqisë mund të njoftojë një riorganizim të kabinetit në fillim të kësaj jave, por nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë takimit të kabinetit qeveritar tashmë të caktuar për të martën, zëdhënësi i qeverisë, Giannis Oikonomou, la të kuptohej se ekziston mundësia e ndryshimit të kabinetit, raportoi e përditshmja Kathimerini.
Në fillim të këtij muaji, pasi zjarret dogjën mijëra hektarë tokë pyjore në Ishullin Evia, në Atikë dhe Peloponez, kryeministri Kyriakos Mitsotakis u tha gazetarëve se "përgjegjësitë ... do të caktohen në momentin e duhur, jo gjatë betejës".
Kathimerini parashtroi tre skenarë: Ose riorganizimi do të shpallet në mbledhjen e kabinetit të së martës nëse Mitsotakis tashmë ka vendosur, ose ai mund t'i njoftojë ato para një udhëtimi këtë javë në Selanik, ose pas udhëtimit të vonshëm në Francë.
Sipas gazetës, ndryshimet nuk pritet të jenë të gjera, pasi kjo mund të sinjalizojë një dështim më të madh nga qeveria.
Ndryshimet në nivelin e zëvendësministrave pritet të jenë më domethënëse.
Në pritje të kthimit nga SHBA-ja të hënën, Mitsotakis e pret një javë e ngarkuar.
Pas takimit të kabinetit të së martës, ai ka një udhëtim në Slloveni të njëjtën ditë dhe të mërkurën ai do të marrë pjesë në takimet në Selanik përpara panairit ndërkombëtar të qytetit të caktuar për 11 shtator.
Të enjten ai pritet të fluturojë për në Marsejë, Francë, për të marrë pjesë në një forum mbi biodiversitetin në rajonin e Mesdheut.