Elena Teslova
25 prill 2022•Përditësim: 27 prill 2022
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar sot homologun e tij francez, Emmanuel Macron, për rizgjedhjen e tij në një mandat të dytë presidencial, raporton Anadolu Agency (AA).
"Sinqerisht ju uroj suksese në aktivitetet tuaja shtetërore, si dhe shëndet të mirë dhe mirëqenie", tha Putin në një telegram, teksti i të cilit u publikua në faqen e internetit të Kremlinit.
Putin dhe Macron kanë mbajtur kontakte të ngushta që kur ky i fundit mori postin presidencial në vitin 2017.
Dy liderët u takuan për herë të parë dy javë pasi Macron u zgjodh president dhe kanë mbajtur komunikim të rregullt që atëherë.
Në vitin 2019, Macron e ftoi Putin-in në Fort de Bregancon për bisedime dypalëshe përpara takimit të G7, të cilin ai e priti një ditë pas takimit.
Në dhjetor të vitit 2019, Macron organizoi takimin e fundit ndonjëherë të formatit të Katërshes së Normandisë (Gjermani, Francë, Rusi, Ukrainë) për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.
Në të njëjtin vit, presidenti rus zhvilloi një takim me diplomatët francezë me iniciativën e presidentit Macron.
Kur Rusia shpalli synimin e saj për t'u larguar nga Këshilli i Evropës në vitin 2018 nëse të drejtat e saj nuk rivendoseshin plotësisht, Macron këmbënguli në përmbushjen e kërkesës, duke deklaruar se "populli rus e njeh humanizmin evropian, sepse morën pjesë në krijimin e tij, meqë gjeografia, historia dhe kultura e Rusisë janë thelbësisht evropiane”.
Megjithatë, pozicioni i Macron-it ndaj Ukrainës është që mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.