Hakan Ceyhan Aydoğan
17 Nëntor 2015•Përditësim: 17 Nëntor 2015
MOSKË (AA) - Pasi që Byroja e Sigurimit Federal të Rusisë (FSB) konstatoi se ka dëshmi që rrëzimi i avionit të pasagjerëve rus në gadishullin Sinai të Egjiptit është vepër e sulmit terrorist, Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi ndjekjen dhe dënimin e autorëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë takimit në Kremlin, drejtori i FSB Aleksandr Bortnikov, i dorëzoi Putinit rezultatet e hetimit, të cilat konfirmojnë se avioni rus i pasagjerëve, i cili po fluturonte nga pushimorja e njohur Sharm el-Sheyh për në Sankt Petersburg, është rrëzuar me ndihmën e një mjeti shpërthyes që ishte vendosur më parë në avion.
"Hetimi tregoi se në avion ndodhej një mjet shpërthyes i prodhimit të huaj. Sipas ekspertëve tanë mjeti shpërthyes i cili peshonte rreth një kilogram shpërtheu ndërsa avioni ishte në ajër", tha Alexander Bortnikov.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se kjo nuk është hera e parë që Rusia është ballafaquar me "sulme të tilla barbare" dhe paralajmëroi zbulimin dhe dënimin e autorëve.
"Do ti gjejmë dhe do ti ndëshkojmë autorët e këtij sulmi. Në cilën do pjesë të botës që ndodhen, do ti gjejmë dhe do ti ndëshkojmë", tha Putin.
Putin tha se Rusia në këtë rast do të vepron në pajtim me nenin 51 të Kartës së OKB-së, e cila mundëson të drejtën e përdorimit të forcave të armatosura për çdo anëtar në vetëmbrojtje. Ai gjithashtu urdhëroi Ministrinë e Punëve të Jashtme në gjetjen e autorëve të sulmit, të marrë në kontakt dhe të bashkëpunojnë me vendet tjera.
Avioni rus i pasagjerëve u rrëzua në fund të tetorit, ndërsa po fluturonte mbi Sinai. Në këtë fatkeqësi jetën e humbën të gjithë 224 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit.
Gjithashtu, edhe burime të inteligjencës amerikane më parë theksuan se ekziston "mundësi e madhe" që rrëzimi i avionit rus në Egjipt të jetë shkaktuar nga një bombë, e cila ishte vendosur në avion pak para fluturimit nga militantët e DAESH-it, apo pjesëtarë të grupeve terroriste që janë të lidhura me këtë organizatë famëkeqe terroriste.