Alban Agushı,Agon Fehmiu
25 tetor 2015•Përditësim: 26 tetor 2015
TIRANË/PRISHTINË (AA) – Shtetasit turq në Shqipëri dhe Kosovë ditën e sotme votojnë në kuadër të votimeve jashtë vendit për legjislaturën e 26-të, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të parakohshme në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë dhe Prishtinë, sot në mëngjes, në orën 09:00 janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e përsëritura parlamentare të cilat do të mbahen në Turqi më 1 nëntor, të dielën e ardhshme.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar në një deklaratë për gazetarin e AA-së duke vënë në dukje se sot është një ditë me rëndësi u shpreh se: "Sot kanë të drejtën e votës 940 shtetasit tanë që janë të regjistruar. Në votimet e kryera me 7 qershor kishte një pjesëmarrje të lartë dhe duke qenë se sot kosha është e mirë urojmë që qytetarët tanë të marrin pjesë në këtë votime".
Bayraktar duke uruar që këto votime të jenë sa më të mbara për atdheun dhe popullin turk ka shtuar më tej se: "Votimi do të kryhet ditën e sotme nga ora 09.00 deri në orën 21.00 dhe gjatë këtyre 12 orëve shtetasit tanë mund të vijnë për të votuar në kohën që ata dëshirojnë".
Ndërsa një votues, Metin Çelik në një deklaratë për AA-në tha se: "Jam shtetas i Republikës së Turqisë, vota jonë qoftë në të mirë të atdheut dhe popullit tonë. Në çdo gjë ndodhet një e mirë, shpresoj edhe kjo të jetë e tillë".
Gjithashtu edhe në ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë, sot në mëngjes, në ora 09:00 janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e përsëritura parlamentare.
Para ambasadës, ende pa u hapur vendvotimet, rreshti i votuesve ishte i gjatë ndërsa, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, e cila ishte ndër të parët që kanë kryer obligimin e vet qytetarë, për AA deklaroi se, ambasada është e përgatitur për votimin e rreth 1200 qytetarëve turk, që aktualisht jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
“Sot, njerëzit e diasporës kanë filluar të votojnë nga ora 09:00, në ambasadën e Turqisë. Do të votohet tërë ditën. Në Kosovë do të votojnë rreth 1200 qytetarë të Turqisë, të cilët janë lajmëruar për votime në Kosovë” ka thënë ambasadorja Kiliç.
Aji ka theksuar se, ende nuk mund të votohet në Konsullatën e përgjithshme të Turqisë, të hapur rishtas në Prizren por, kjo do të mundësohet herëve të tjera. Ambasadorja Kiliç ka uruar që votimi i qytetarëve të diasporës të jetë me fat për Turqinë.
Ndër votuesit e parë ishte edhe Ilaz Pisti. “Si qytetarë të Turqisë, ne këtu në Kosovë do të votojmë në mënyrë demokratike. Dëshiroj që këto zgjedhje në Turqi, në Ballkan dhe Lindjen e Afërt të kalojnë ashtu si është më së miri. Me fat të gjithëve” ka deklaruar Ilaz Pisti.
“Kam votuar sipas të drejtës time demokratike dhe e kam shfrytëzuar votën time” tha Baki Gok, pasi kishte përfunduar votimin.
Ndërkohë në Shkup dhe Sarajevë vazhdojnë edhe sot votimet për shtetasit turq që jetojnë në Maqeddoni dhe Bosnje dhe Hercegovinë.
Komisioni Qendror Zgjedhor i Turqisë (YSK) ka njoftuar se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të drejtë vote do të kenë mbi 54 milion votues të regjistruar në Turqi dhe afro 2,9 milion votues nga diaspora.
YSK në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të mbahen më 1 nëntor në Turqi, për shtetasit turq jashtë vendit ka vendosur kuti votimi në 113 përfaqësi në 54 shtete. Afati për votuesit turq jashtë shtetit përfundon ditën e sotme.