Agim Sulaj
05 Prill 2019•Përditësim: 08 Prill 2019
Dy parti opozitare të Kosovës e kanë konsideruar si jokushtetues Ekipin Dialogues që përfaqëson Kosovën në bisedimet me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një tryezë të mbajtur në Kuvendin e Kosovës të premten, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në prani të shoqërisë civile, shfaqën pakënaqësitë e tyre për Ekipin e Dialogut, në të cilin bëjnë pjesë partitë në pushtet bashkë me Partinë Socialdemokrate (PSD).
Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se me ekipe dialoguese Kosova kthehet prapa, si në kohën kur kishte institucione të përkohshme.
“Për neve si Lidhje Demokratike e Kosovës ka qenë gjithmonë e qartë se dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria mbi bazën e mandatit kushtetues që ka Qeveria. Dhe, çdo formë tjetër e aranzhimit dhe menaxhimit të këtij procesi e bën atë proces jokushtetues dhe rrjedhimisht të pa pranueshëm. Nuk mundemi me ekipe dialoguese të kthehemi prapa si në kohën kur Kosova kishte institucione të përkohshme. Zgjidhja nuk vjen me ekipe dialoguese të cilat nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse tentojnë të përligjin defiçencën e institucioneve aktuale që ka vendi”, tha Hoti, i cili kërkoi që çdo projekt për dialogun me Serbinë të votohet fillimisht nga dy të tretat e Kuvendit të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të kthehet në pikën zero.
“Kosova ka nevojë që një proces të tillë ta kthejë në pikën zero, në pikën zero sa i përket kësaj që po quhet faza përfundimtare e dialogut me Serbinë. Ne e dimë që kur ka hyrë presidenti me projektin e tij, e ka rrëmbyer procesin e dialogut, e ka shpërfaqur projektin e tij të shkëmbimit të territoreve dhe e ka dëmtuar procesin e shtetndërtimit të Kosovës”, tha Konjufca.
Megjithatë, për t’u kthyer në pikën zero, ai tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, sepse nuk mund të ketë pikë zero pa legjitimim të institucioneve të reja.
Me idenë e Konjufcës nuk u pajtua analisti Dastid Pallaska, i cili tha se në këtë mes, më së paku ndihmon kthimi i çështjes së dialogut në diskurs politik.
Ai tha se Ekipi i Dialogut është mekanizmi më i mirë për dialog aktualisht.
“Unë mendoj që është mekanizmi më i mirë dhe ndoshta edhe i vetëm. Dhe për këtë arsye po ashtu, nuk e ndaj mendimin e zotit Konjufca që zgjedhjet në këtë rast janë zgjidhje. Shumica e kualifikuar e dy të tretave, domethënë që kërkohet për miratimin e marrëveshjeve të tyre, nuk ndikohet absolutisht nga zgjedhjet. Sepse nën supozimin e një situate hipotetike që zgjedhjet po mbahen nesër dhe partitë opozitare po e marrin pushtetin, cilindo format të mundshëm, prapë nuk do të mund ta bëjnë vetë dhe ta çojnë përpara këtë proces vetë”, tha Pallaska.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se projektligji i Ekipit Dialogues është në kundërshtim me disa nga nenet e Kushtetutës së Kosovës.
Nga ana tjetër, deputetja nga LVV tha se një pikë e rezolutës së propozuar nga LDK dhe LVV për ndalimin e negociimit të territorit të Kosovës në dialog, pret tashmë pesë muaj për të hyrë në rend dite në Kuvend.
Kuvendi i Kosovës e ka votuar me 59 vota pro dhe dy kundër Ekipin Dialogues, në të cilin janë gjithsej 11 anëtarë, shtatë nga koalicioni, tre nga opozita dhe një nga shoqëria civile.
Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ka ndarë 300 mijë euro për këtë ekip.