Fatjon Cuka
02 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
TIRANË (AA) - Deputetët e opozitës kanë bojkotuar përsëri seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nuk morën pjesë edhe në seancën e një javë më parë, raporton Anadolu Agemcy (AA).
Duke komentuar zhvillimet e fundit rreth protestës dhe kërkesave të opozitës, deputetët e Partisë Socialiste i kanë bërë thirrje kolegëve të tyre të opozitës që të rikthehen në Kuvend, që debatin parlamentar ta zhvillojnë në seancë plenare.
Ndërkohë pjesë e seancës së sotme parlamentare ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij u ndal tek procesi i reformës në drejtësi, duke theksuar se mbi 90 për qind e shqiptarëve duan këtë reformë.
"Shqipëria nuk ka bërë dot aq sa është dashur të bëjë në këto 20 vite dhe mund të bëjë shumë më tepër me potencialet e saj. Të qëndrojmë të fokusuar tek sfidat reale që sot janë të gjitha të mbledhura bashkë tek sfida e sfidave, që është fillimi i vetingut, që është pa më të voglin dyshim hapja e një kapitulli të ri në ekonomi", u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare.
Ndërsa nga ana tjetër protesta e opozitës ka hyrë sot në ditën e 13-të, ku pjesë e saj ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha si dhe qytetarë të ardhur nga disa qytete të vendit.
Protestuesit qëndrojnë në çadrën e madhe të vendosur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, përpara selisë së Këshillit të Ministrave, ndërsa policia ende nuk ka ndërmarrë ndonjë lëvizje për largimin e protestuesve.
Protesta e opozitës filloi më 18 shkurt, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit.