Bedrudin Brljavac
25 dhjetor 2023•Përditësim: 26 dhjetor 2023
Mbrëmë pjesëtarët e policisë kanë shpërndanë demonstratat e qytetarëve para Kuvendit të qytetit të Beogradit, raporton Anadolu.
Një numër i madh policësh dhe xhandarmëria nga drejtimi i Asamblesë Kombëtare erdhën para Kuvendit të qytetit ku opozita kishte organizuar protestën.
Po ashtu edhe pjesëtarët e Brigadës së Policisë dolën nga Kuvendi i qytetit dhe formuan barrikadë, pas së cilës demonstratat u shpërndanë.
Qytetarët e grumbulluar u larguan me vrap nga policia ndërsa para Kuvendit të qytetit mbetën vetëm ekipet e gazetarëve. Xhandarmëria largoi të gjithë ata që nuk kishin akreditime gazetarie.
Të dielën në Beograd u mbajt protesta e shtatë masive e koalicionit “Serbia kundër dhunës” para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KEZ), ku në një moment opozita tentoi të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të qytetit.
Brenda ishte polica me pajisje kundër trazirave, ndërsa dyert e kuvendit u thyen. Policia nga ndërtesa e kuvendit ka spërkatur demonstruesit me një sasi të madhe gazi lotsjellës.
Ministria e Punëve të Brendshme u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve të protestës dhe organizatorëve të tubimit të listës "Serbia kundër dhunës" që të respektojnë ligjet e Republikës së Serbisë, të mos prishin rendin dhe qetësinë publike dhe të përmbahen nga përpjekjet e dhunshme për të hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Qytetit të Beogradit.
Shumica e qytetarëve në protestë kanë qëndruar të qetë, ndërsa disa kanë tentuar të hyjnë në Kuvend. Ata hodhën gurë dhe shkopinj në godinë, kurse policia ishte në hyrje dhe dritare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij para opinionit me rastin e protestës së opozitës tha se shteti është mjaft i fortë për të mbrojtur Serbinë dhe se ata që shkaktojnë trazira do të arrestohen.
Krerët e koalicionit, të cilëve u janë bashkuar edhe përfaqësues të tjerë të opozitës, kanë ftuar dje qytetarët në tubimin e djeshëm, siç paralajmëruan, më të madhin, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Qytetarët janë mbledhur në masë para KEZ-it ditëve të fundit, ndërsa studentët kanë paralajmëruar radikalizimin e protestës, përkatësisht bllokimin e Beogradit në disa lokacione, që do të fillojë sot në ora 12:00 dhe do të zgjasë deri në orën 18.00.
Për shkak të parregullsive të shumta në zgjedhjet e fundit, nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP) Marinika Tepiq shtatë ditë më parë hyri në grevë urie, më pas asaj iu bashkuan edhe deputetet Jelena Millosheviq dhe Danijela Grujiq, si dhe kryetari i Lëvizjes për Ndryshim (PZP) Janko Veselinoviq dhe Zheljko Veselinoviq, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Serbisë "Sloga".