Agon Fehmiu
27 Janar 2016•Përditësim: 28 Janar 2016
PRISHTINË (AA) – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka vazhduar vizitat e saj nëpër komunat e Kosovës, në kuadër të nismës së përbashkët me tri odat ekonomike, me qëllim të diskutimit të problemeve të zhvillimit ekonomik, dhe për përkrahje të bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidentja Jahjaga fillimisht vizitoi Fushë Kosovën dhe u takua me kryetarin e komunës, Burim Berisha. Vizita vazhdoi në Vushtrri, ku u prit nga kryetari Bajram Mulaku, për të kaluar në Skenderaj ku takoi nënkryetarin e komunës, Fadil Nura dhe ndalesa e fundit për sot ishte, Drenasi (Gllogoci) dhe takimi me kryetarin, Nexhat Demaku.
Në këto takime, sikurse edhe gjatë gjitha vizitave paraprake nëpër komunat e tjera të Kosovës, presidentja Jahjaga u shoqërua nga kryetarët e tri odave ekonomike, Safet Gërxhaliu i Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka i Odës Ekonomike Amerikane dhe Albert Matoshi i Odës Ekonomike Gjermane.
Në takimet e sotme me kryetarët e komunave që vizitoi, Presidentja Jahjaga u njoh me problemet që po i mundojnë bizneset në këto komuna dhe që po ndikojnë në ngecjen në fushën e zhvillimit ekonomik. Përveç diskutimit të problemeve me të cilat po ballafaqohen bizneset e këtyre komunave, nga Zyra e Presidencës njoftojnë se u diskutuan edhe idetë për zgjidhjen e këtyre probleme, me qëllim që të krijohet një klimë më e përshtatshme për bërjen e biznesit, të hapen vende të reja pune dhe me këtë të ndikohet pozitivisht në zhvillimin ekonomik komunal, si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Ne e dimë se zhvillimi ekonomik është shumë i domosdoshëm dhe që zhvillimi ekonomik në vend është garant i stabilitetit të mëtejshëm të vendit tonë, por edhe që kontribuon në proceset integrues për vendin tonë” ka deklaruar në fund të vizitës, Presidentja Jahjaga.