Fatjon Cuka
06 Tetor 2015•Përditësim: 06 Tetor 2015
TIRANË (AA) - Gjatë 24 orëve të fundit, në 4 operacioni të ndryshme në Shqipëri, konkretisht në Tiranë, Fier, Fushë-Krujë dhe Gjirokastër policia ka arrestuar 12 persona, ka shpallur dy në kërkim dhe ka sekuestruar rreth 68 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, transmeton Anadolu Agency (AA).
Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë bëjnë me dije se në Fushë Kujë është realizuar operacioni anti-kanabis i koduar “Stafeta”, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Sajmir Koçi, 26 vjeç, Arben Ziri, 38 vjeç, Blerim Çela, 30 vjeç dhe Altin Çangu, 37 vjeç. Arrestimi i tyre u bë pasi në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”, Fushë-Krujë, gjatë kontrollit të mjetit tip Renault Clio me targë TR 1658 H, ku udhëtonin shtetasit Blerim Çela dhe Sajmir Koçi, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin po transportonin sasinë prej 35 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa. Ky mjet shoqërohej nga mjeti tip Pezho, me targë italiane DJ 786 ËA ku udhëtonin shtetasit Arben Ziri dhe Altin Çangu.
Ndërsa në Tiranë Seksioni për Narkotikët arrestoi në flagrancë 6 persona, konkretisht Gëzim Hodaj, 24 vjeç, Sefer Hodaj, 22 vjeç, Shkëlqim Merkaj, 36 vjeç, Erjon Merkaj, 31 vjeç, Thodhori Demçe, 20 vjeç dhe Taulant Boci, 31 vjeç. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasve me inicialet E.H., 20 vjeç, banues dhe F.H., 22 vjeç.
Sipas burimeve zyrtare këta persona u arrestuan në flagrancë me një sasi prej 10.2 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa. Gjatë momentit të arrestimit, ka patur disa të shtëna armësh, për të cilat dyshohen si autorë F.H dhe E.H., por nuk ka patur të lënduar.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka konfirmuar se në një tjetër operacion në Fier u arrestuan në flagrancë shtetasi me inicialet K.M. 62 vjeç. Arrestimi i tij vjeçarit u bë pasi në oborrin e banesës në një serë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa rrënjë bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa, të shkulura dhe të vendosura mbi tokë për tharje, që rezultuan me një peshë prej 15 kilogramë.
Ndërsa në Gjirokastër specialistët antidrogë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së Dilaver Kapllanit, sekuestruan 8,3 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.