Adel Ömeragiç
02 Dhjetor 2015•Përditësim: 02 Dhjetor 2015
PODGORICË (AA) - Ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë është një vendim historik dhe kjo është ditë e madhe për Malin e Zi dhe rajonin, ka thënë në një prononcim për Anadolu Agency, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Ai shprehu bindjen se Mali i Zi do të jetë partner i besueshëm i NATO-s.
"Ky është për Malin e Zi pa dyshim vendim historik. Pas referendumit ai është padyshim vlerë e re e Malit të Zi dhe do të thoja garanci e lidhjes ekonomike, politike dhe të sigurisë të Malit të Zi me NATO-n, që ka plotësinë e vetë dhe që do të thotë se Mali i Zi ka realizuar standardet e NATO-s, se ka treguar se mund të jetë partner i besueshëm i NATO-s dhe se si anëtar i ri do të jetë pjesë e vlefshme e Aleacës” ka thënë Vujanoviç.
Ftesën për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Vujanoviç e përjeton si " një konfirmim të vlerës së integrimit evropian të Malit të Zi."
"Dhe, jam i bindur, si një shtysë për stabilitetin e rajonit. Ky është një rajon që ka nevojë për kontributet e reja dhe të vazhdueshme për stabilitetin, kjo sigurisht që është një kontribut i madh dhe në këtë aspekt mendoj se kjo është ditë e madhe për rajonin", ka thënë Vujanoviç për AA.
- Gjukanoviç: Ftesa e NATO-s, ditë historike për Malin e Zi
Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, ka vlerësuar se ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi është "ditë historike" për këtë vend".
Gjukanoviç ka organizuar sot koktej për përfaqësuesit e autoriteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe të sektorit joqeveritar me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësimin në aleancën e NATO-s. Gjithashtu, në këtë pritje ishin të pranishëm edhe presidenti i vendit, Filip Vujanoviç dhe kryetari i Kuvendit, Ranko Krivokapiç. Kryeministri malazez vuri në dukje se kjo ditë është "më e rëndësishme për Malin e Zi pas referendumit në vitin 2006".
"Mali i Zi hynë në një rreth ekskluziv të vendeve që janë sinonim i vlerave më të mira të qytetërimit bashkëkohës. Thirrja është rezultat i punës serioze në realizimin e qëllimeve strategjike të politike shtetërore - të anëtarësimit fuqiplotë në NATO dhe BE. Kjo është kurorë e përpjekjeve shumëvjeçare të shtetit dhe procesit të reformave gjithëpërfshirëse të filluara në vitin 2006. Saktësisht nëntë vjet më parë me pranimin në Partneritet për Paqe e kemi nisur këtë rrugëtim. Sot kemi të drejtë për krenari që për një kohë relativisht të shkurtër fituam besimin e partnerit dhe morëm ftesë për anëtarësim", ka thënë Gjukanoviç.
Ai shprehu kënaqësinë se Aleanca vlerësoi përpjekjet e Malit të Zi dhe shprehu falënderim ndaj vendeve anëtare dhe administratës së NATO-s për përkrahje gjithë këto vite.
"I detyrohemi një falënderim të veçantë anëtarëve të trupit diplomatik në Podgoricë. Ky është suksesi jonë i përbashkët. Sepse në Aleancë hynë gjithë shoqëria, jo vetëm Qeveria, apo ndonjë parti. Prandaj ky është sukses i gjithë Malit të Zi, i çdo qytetari tonë, i të gjithë atyre që duan një Mal të Zi modern, demokrat dhe me prosperitet, si pjesë e rrjedhave moderne evropiane dhe globale", theksoi Gjukanoviç.
Gjithashtu vuri në dukje se ftesa për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO është një ditë e madhe edhe për Ballkanin Perëndimor.
"Besoj se kjo do t'i japë një shtysë proceseve reformuese dhe integruese në rajon. Anëtarësimi i vendit tonë në NATO do të jetë një kontribut i fuqishëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Të gjithë fqinjët tanë, pavarësisht nga qëndrimet e tyre ndaj NATO-s, kanë interes që Ballkani të jetë më i qëndrueshëm dhe më i sigurt. Ky është një parakusht dhe garanci për zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe demokratik", tha kryeministri i Malit të Zi.
Theksoi se kjo është një ngjarje e rëndësishme edhe për NATO-n, duke shtuar se me "thirrje ndaj vendit tonë u konfirmua kredibiliteti i politikës së dyerve të hapura, fuqive dhe vizioneve të Aleancës".
"Për herë të parë pas gjashtë vitesh një vend u ftua për anëtarësim. Ftesa për Malin e Zi do të mbahet mend edhe për precedentin se vendimi për herë të parë është marrë në nivelin ministror, mes dy samiteve. Jemi të vetëdijshëm se para nesh është një pjesë e rrugës deri në anëtarësimin e plotë në Aleancë. Por, jam i sigurt se do ta kalojmë me cilësi dhe shpejtë, siç i kemi përmbushur edhe detyrimet e deritanishme", ka thënë Gjukanoviç.