Rahmi Gündüz
12 Prill 2016•Përditësim: 12 Prill 2016
PARIS (AA) - Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Francës, Romain Nadal ka paralajmëruar se sulmet e forcave të regjimit të Asadit në Halep dhe në Guta-n Lindore në Siri kërcënojnë bisedimet e paqes dhe Marrëveshjen për ndalimin e luftimeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Nadal në deklaratën e tij në një konferencë të përditshme në lidhje me çështjen theksoi se vendi i tij "është i shqetësuar" për një rifillim të mundshëm të ngjarjeve të dhunshme.
"Franca paralajmëron regjimin dhe aleatët e tij se kërcënojnë marrëveshjen për ndalimin e luftimeve me sulmet e nisura në Halep dhe në Guta-n Lindore. Gjithashtu regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij për shkak të këtyre sulmeve do të jenë përgjegjës për një krizë të re njerëzore dhe për dështimin e bisedimeve të paqes", deklaroi Nadal.
Ndër të tjera bëhet e ditur se raundi i ri i bisedimeve indirekte mes regjimit dhe opozitarëve për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës në Siri do të nisin ditën e nesërme në Gjenevë të Zvicrës.