Admir Fazlagikj
19 Maj 2016•Përditësim: 19 Maj 2016
SHKUP (АА) – Ambasadori Johannes Haindl, i dërguar special për Maqedoninë i ministrit të Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, sërish do të qëndrojë për vizitë dy ditore në Shkup, njoftoi ambasada e Gjermanisë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Duke u ndërlidhur me vizitën e tij të javës së kaluar, ambasadori Haindl sërish do të bisedojë me partitë që kanë nënshkruar marrëveshjen e Përzhinës si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Parashikohen bisedime edhe me Presidentin, Gjorge Ivanov, me kryetarin e Kuvendit, Velanoski dhe me partitë tjera politike”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në Shkup.
I dërguar special Johannes Haindl javën e kaluar qëndroi për vizitë në vend, ku ai zhvilloi bisedime me katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Poposki, me shefin e delegacionit të BE-së dhe ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, si dhe me ambasadorët e vendeve të BE-së në vend.