Bekim Laci
25 Shkurt 2016•Përditësim: 26 Shkurt 2016
SHKUP (AA) – Republika e Maqedonisë dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë marrëdhënie të mira bilaterale, ndërsa bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është i shkëlqyeshëm. Ky ishte konstatimi i përbashkët i ministrave të Mbrojtjes të të dy shteteve, Zoran Jolevski dhe Marina Pendesh (Marina Pendeš), pas takimit të realizuar në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Jolevski tha se prania e Kadetëve nga BeH në Akademinë Ushtarake në Maqedoni është një investim i cili përforcon akoma më shumë marrëdhëniet mes të dy vendeve.
Siç tha Jolevski, gjatë takimit është biseduar për proceset integruese euro-atlantike, me theks të veçantë në NATO. “U pajtuam se avancimi i procesit të integrimit në NATO gjatë samitit të radhës do të ketë domethënie të madhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit, por edhe të Evropës në përgjithësi”- tha ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë. Ai ka shtuar se Maqedonia i jep një përkrahje të plotë aktivizimit të procesit MAP për BeH-në, ndërsa siç tha, bashkërisht do të hartojnë një strategji me të cilën në samitin e radhës të NATO-s do të argumentojnë nevojën për përfshirjen e të dy vendeve në aleancën veri-atlantike.
Jolevski dhe Pendesh përshëndetën ftesën për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Ministrja e Mbrojtjes së Bosnje e Hercegovinës, Marina Pendesh, nga ana e saj tha se të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se vendet e tyre meritojnë plotësisht anëtarësimin në NATO dhe BE, ndërsa bashkëpunimi mes të dy vendeve mund të bëhet në fusha të ndryshme, duke vënë theksin në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe DAESH-it, si sfida të cilat cenojnë sigurinë e qytetarëve.
“Forcimi i sigurisë dhe stabilitetit janë parakushte për investime. Nëse kemi investime të huaja, forcojmë ekonominë, nëse bëjmë këtë hapim vende të reja të punës me çka i mbajmë të rinjtë në vendet tona, prandaj mendoj se këto janë prioritetet tona” tha Pendesh.
Ajo shtoi se Maqedonia dhe BeH mund të mësojnë nga njëra-tjetra për sa i përket luftës kundër terrorizmit sepse siç tha kuptohen mirë dhe nuk kanë çështje të hapura mes tyre, ndërsa me komunikim të mirë dhe këmbim të informacioneve mund të parandalohen veprime terroriste.