Nazmi Abduramani
26 Prill 2016•Përditësim: 26 Prill 2016
SHKUP (AA) - Agjencia për Kadastër të Patundshmërive të Maqedonisë dhe Zyra për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) të Shqipërisë sot nënshkruan memorandum mirëkuptimi dhe marrëveshjeje për shkëmbimin e të dhënave nga stacionet permanente nga rrjetet për pozicionim dhe navigim në Republikën e Maqedonisë – MAKPOS dhe të Republikës së Shqipërisë – ALBPOS, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive të Maqedonisë Sllavçe Tërpevski tha se nënshkrimi i memorandumit të sotëm paraqet bazë për bashkëpunim mes institucioneve në sferën e kadastrës së patudshmërive, vlerësimin e patundshmërive, matjen e kufijve shtetërorë, hartografinë, gjeoinformatikën dhe vendosjen e infrastrukturës në të dhënat hapësinore, përmes shkëmbimit të përvojave, personave ekspertë dhe informacioneve me qëllim të zhvillimit të administrimit efikas dhe të qëndrueshëm të truallit.
“Bashkëpunimi i vendosur mes Agjencisë për Kadastër të Patudshmërive dhe Zyrës për Regjistrim të Pasurive të Palujtshme të Shqipërisë do të realizohet përmes takimeve të rregullta të përfaqësuesve të të dyja institucioneve që kanë për qëllim shkëmbimin e njohurive dhe praktikës së mirë në vendosjen e kadastrës së patundshmërive, menaxhimin dhe shfrytëzimin e GNSS sistemeve kombëtare, kadastrës nëntokësore dhe vendosjen e infrastrukturës të të dhënave hapësinore si dhe realizimin e nismave për bashkëpunim tejkufitar përmes vendosjes së shkëmbimit të të dhënave të serviseve, si për shembull shkëmbimi i të dhënave nga GNSS sistemet ekzistuese mes dy vendeve”, tha Tërpçevski.
Ai shtoi se në kuadër të marrëveshjes do të shkëmbehen të dhëna nga GNSS stacionet kufitare në Dibër, Ohër dhe Manastir nga pala maqedonase, që janë pjesë e sistemit pozicionues të Maqedonisë – MAKPOS dhe të dhëna nga GNSS stacionet kufitare në Korçë, Librazhd dhe Kukës nga pala shqiptare që janë pjesë e sistemit pozicionues shqiptar – ALBPOS.
Nga ana tjetër drejtori i ZRPP Ilirijan Muho tha se memorandumi i mirëkuptimit krijon shtratin e një bashkëpunimi institucional në fushën e administrimit të tokës dhe të shkëmbimit të përvojave me përfitim të dyanshëm.
“Bazuar mbi ritmin e rritjes vjetore të tregut global të përdorimit të sistemeve satelitore të pozicionimit gjeografik, i cili është rreth 7 përqind, dhe prurjet e synuara mbi bazën e këtij tregu, që pritet të jenë rreth 290 miliardë euro pas 7 vitesh, bëhet i nevojshëm hartimi i politikave të zhvillimit të sektorit të sistemeve satelitore të rrjetit global, duke krijuar mundësinë për rritjet të aktiviteteve apo të krijimit të aktiviteteve të reja të biznesit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e të ardhurave të qytetarëve tanë”, u shpreh Muho.
Në këtë ngjarje u tha se me shkëmbimin e të dhënave mes MAKPOS dhe ALBPOS sistemeve do të përmirësohet cilësia dhe saktësia e të dhënave gjeohapësinore që fitohen me zbatimin e GNSS metodave të matjes.