Nazmi Abduramani
30 Dhjetor 2016•Përditësim: 31 Dhjetor 2016
SHKUP (AA) – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot mbajti seancën e parë të saj konstituive, raporton Anadolu Agency (AA)
Nga gjithsej 120 deputetë të zgjedhur, të pranishëm në seancën e parë konstituive të Kuvendit ishin 118 ndërsa munguan dy deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH). Me këtë u konstitua përbërja e nëntë e Kuvendit të Maqedonisë. Me seancën e parë konstituive kryesoi kryetari në largim i Kuvendit Trajko Velanovski, i cili verifikoi mandatet e deputetëve të zgjedhur dhe caktoi zëvendësit e tij Stojan Millanov dhe Jusuf Hasani.
Velanoski më pas vendosi pikat e rendit të ditës si zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të komisionit verifikues, në të cilën u zgjodh Vllatko Gjorçev ndërsa anëtar u zgjodhën Petre Shilegov, Rexhail Ismaili, Fadil Zendeli, Syrija Rushiti si dhe pikat verifikimin e mandateve të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, zgjedhjen e kryetarit, zëvendësit të kryetarit, anëtarëve të zëvendësve të tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe pika e fundit zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Në fillim të seancës deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) Oliver Spasovski në vërejtje procedurale mori fjalën duke thënë se Velanoski nuk duhet të udhëheq me seancën për shkak se edhe sipas praktikës parlamentare edhe sipas Rregullores, me të duhet të udhëheq deputeti më i moshuar.
Velanoski si kundërpërgjigje tha se ka dallim në praktikë dhe në zbatimin e Rregullores. Kryetari në largim Velanovki dha pauzë me qëllim që komisioni verifikues të konfimojë mandatet e deputetëve të cilat u verifkuan me 110 vota.
Pas verifikimit të mandateve, Velanoski ndërpreu seancën sepse deri në mbajtjen e saj nuk kishte propozim prej dhjetë deputetëve për formimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, siç parashihet. Seanca do të caktohet, siç u shpreh ai, kur do të krijohen kushtet e rregullores për atë dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të autorizuar të partive që të nominojnë anëtarë të Komisionit për zgjedhje dhe emërime.
Në këtë vazhdim të seancës duhet të zgjedhet edhe kryetari i Kuvendit. Paraprakisht Zeqirja Ibraimi nga Lëvizja BESA kërkoi që raporti nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSZH) të përkthehet në gjuhën shqipe dhe kërkoi që të mos i verifikohet mandati Johan Tarçullovskit, për shkak se, siç tha ai, ai është i dënuar nga Haga. Kryesuesi me seancën Velanoski tha se raporti tashmë është përkthyer nga shërbimet dhe se të gjitha dokumentet në Parlament përkthehen.
Lidhur me kërkesën për Tarçullovskin, Velanoski tha se ka dallim në praktikë dhe në zbatimin e Rregullores. Ai tha se nuk mund të kërkojë diçka vetëm në bazë të asaj nëse dikujt i pëlqen apo jo. Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të bashkësive fetare, pushtetit gjyqësor, ASHAM-it si dhe korit diplomatik. Përbërja e nëntë parlamentare e Maqedonisë do të ketë 120 të zgjedhur të popullit.
Koalicioni i përbërë nga VMRO-DPMNE ka 51 deputetë, koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka 10, Lëvizja BESA ka 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka 2 deputetë. Në këtë përbërje parlamentare nuk ka deputetë të diasporës për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave të fituara.