Agon Fehmiu
25 Nëntor 2015•Përditësim: 25 Nëntor 2015
PRISHTINË (AA) – Republika e Kosovës dhe Republika e Sierra Leones kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve, gjatë ceremonisë zyrtare të organizuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, transmeton Anadolu Agency.
Ylber Kryeziu, i ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme dhe ambasadori i Republikës së Sierra Leone në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vandi Chidi Minah, ishin ata që e nënshkruan marrëveshjen për vendosje të marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve.
Me këtë rast, palët janë pajtuar për të intensifikuar komunikimin politik, duke iniciuar nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit në mes të dy akademive diplomatike dhe për përgatitjen e një marrëveshjeje për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve.
Ambasadori Vandi Chidi Minah ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Sierra Leone për të ngritur marrëdhëniet dypalëshe në nivele sa më të larta dhe për të mbështetur Kosovën për njohje të reja nga Unioni Afrikan, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Sierra Leone është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara me mbi 6 milionë banorë dhe është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të titanit dhe boksitit në botë.