Zülfiya Yakup
03 Gusht 2016•Përditësim: 04 Gusht 2016
PRISHTINË (AA) - Në Kuvendin e Kosovës ka filluar debati profesional-shkencor lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, të cilin e organizoi Kryesia e Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në debatin marrin pjesë kreu më i lartë politik në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, deputetët e pozitës dhe opozitës, përfaqësues të Komisionit shtetëror për shënimin e kufirit, ekspertë për çështje kufitare dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në fjalimin hyrës tha se debati i tillë me pa të drejtë ka munguar në Kosovë gjatë një viti. Thaçi tha se çështja e demarkacionit si problem nuk ekziston sepse Kosova nuk ka humbur asnjë milimetër të tokës së saj.
Ai bëri thirrje për debat të hapur dhe argumentues, sepse kjo më nuk është vetëm çështje e demarkacionit me Malin e Zi, por edhe dëshmi se Kosova është e aftë të arrijë marrëveshje ndërkombëtare dhe t’i përmbushë ato.
Presidenti Thaçi rikujtoi se Komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare është formuar në vitin 2012 në pajtim me ligjet e Kosovës. Sipas tij, pas përfundimit të punës së këtij Komisioni është nënshkruar marrëveshje për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi në Vjenë, më 26 gusht të vitit 2015.
Ai tha se Komisioni në punën e tij ka konsultuar aleatët kosovarë dhe se personalisht beson në hartën e NATO-s, e jo në hartën e ekspertëve jugosllavë.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli theksoi se kjo është një ditë e veçantë për Kosovën dhe një rast i mirë për të biseduar dhe të gjithë të përballen me argumente.
Veseli porositi se është mirë të përcillet porosia se Kosova dëshiron me të gjithë fqinjët të ketë raporte të mira.
Opozita kosovare, e cila kundërshton nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin, me të cilën Kosova siç pohon ngel pa 8.000 hektarë tokë nga kufiri me Malin e Zi, duke përdorur gaz lotsjellës dhe metoda tjera të dhunshme si në Kuvend, ashtu edhe në rrugë, pamundësoi që debati për këtë çështje të mbahet në seancën plenare të Kuvendit.
Opozita, e cila me muaj mbante Kuvendin të bllokuar duke tentuar me të gjitha mjetet të pengojë miratimin e kësaj marrëveshjeje, kësaj radhe u ul për të marrë pjesë në debat.
Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare nevojitet shumica e dy të tretave të deputëteve në Kuvend. Parlamenti i Malit të Zi tashmë ka ratifikuar Marrëveshjen për vijën kufitare me Kosovën.