Serdar Bıtmez
13 Tetor 2021•Përditësim: 13 Tetor 2021
Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, përjashtoi mundësinë që marrëveshjet e normalizimit mes shteteve arave dhe Izraelit do të mund të zgjidhin krizën e paqes në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryediplomati i Katarit i bëri këto komente gjatë ditës së dytë të Forumit të Sigurisë Globale të mbajtur në Doha.
Al Thani theksoi se procesi paqësor rajonal nuk ka ndonjë horizont dhe prandaj "Marrëveshjet e Abrahamit" midis vendeve arabe dhe Izraelit nuk mund të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës.
"Ne nuk shohim ndonjë perspektivë për procesin e paqes dhe për këtë arsye ne besojmë se Marrëveshjet e Abrahamit nuk mund të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës," tha diplomati i lartë.
Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Maroku dhe Sudani nënshkruan marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin, me ndërmjetësimin e SHBA-së, ndërsa këto u bënë të njohura si Marrëveshja e Abrahamit.
"Ne nuk duhet të përqendrohemi në normalizimin ekonomik dhe të harrojmë pushtimin e tokave arabe", tha Al Thani.