Fatjon Cuka
23 Qershor 2016•Përditësim: 23 Qershor 2016
TIRANË (AA) - Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi vizitë, Darko Pajoviç po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ai fillimisht është takuar me homologun e tij shqiptar Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, mësohet se në takimin e realizuar pa praninë e medias u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve në funksion të integrimit evropian dhe avancimit të projekteve strategjike rajonale.
Gjatë takimit, dy kryeparlamentarët, Meta dhe Pajoviç vunë në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë një model i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë për të gjithë rajonin. Gjithashtu është folur edhe lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi.
Pas në Kryesinë e Kuvendit, Meta dhe Pajoviç zhvilluan një konferencë të përbashkët për medait.
Meta ka theksuar se aderimi i Malit të Zi në NATO si dhe avancimi drejt përfundimit pa vonesa të proceseve integruese euro-atlantike për të gjithë vendet e rajonit, janë kyçe për forcimin e perspektivës së paqes dhe stabilitetit për Evropën Juglindore.
“Është tashmë një fakt që na gëzon të gjithëve, se gjithmonë kur flitet për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis vendeve të ndryshme në rajonin tonë, padyshim që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi përmenden gjithmonë si një model i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë. Shqipëria ka mbështetur pa asnjë rezervë integrimin euro-atlantik të Malit të Zi. Ndaj dhe sot Kuvendi i Shqipërisë do të votojë për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Aleancës së Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi në NATO. Në këtë drejtim, bashkëpunimi dhe miqësia shqiptaro-malazeze janë mjaft të rëndësishme dhe domethënëse për stabilitetin e rajonit”, u shpreh Meta.
Sipas Metës, Autostrada Adriatiko-Joniane apo Korridori Blu, si dhe zgjerimi i Gazsjellësit TAP përmes degëzimit IAP, janë disa prej këtyre projekteve më rëndësi strategjike për rajonin, ku, siç shprehet ai Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë përfitime të rëndësishme.
Kryeparlamentar i Malit të Zi, u shpreh se NATO është e rëndësishme për sigurinë e paqes jo vetëm për Malit të Zi, por edhe të vetë rajonit tonë.
“Falënderoj Parlamentin e Shqipërisë në këtë përshpejtim të anëtarësimit. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të përforcojmë marrëdhëniet tona, por ju dërgoni një mesazh të mirë edhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s që ky proces të përshpejtohet dhe ai të ecë në drejtimin dhe tempin e duhur. Unë besoj se marrëdhëniet mes shteteve tona, marrëdhëniet në Ballkan duhet të ecin në drejtimin e forcimit të vlerave evropiane sepse jam i bindur se këtë mendim e ndajnë edhe popujt pa marrë parasysh se në cilën anë të kufirit janë. Ata dëshirojnë vlerat e bashkëpunimit, vlerat civilizuese dhe vlerat evropiane”, u shpreh Pajoviç.
Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajoviç, ndodhet sot në Tiranë me rastin e ratifikimit të Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi në NATO nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së sotme plenare, ku ai do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse. Ai do të realizojë një takim edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.